Testimi i sheqerit në gjak: Shkencëtarët krijojnë një shirit pa dhimbje që kontrollon nivelet e glukozës përmes pështymës
Shkencëtarët po punojnë për të prodhuar në masë ‘testin e shenjtë’, për ta bërë më të lehtë për diabetikët të kontrollojnë nivelet e sheqerit në gjak.
Studiuesit, në Universitetin e Newcastle në Australi, krijuan një shirit jo invaziv, të përshtatshëm dhe pa dhimbje, pak më shumë se 2.5 centimetra i gjatë, që kontrollon nivelet e glukozës në pështymë.
Shiriti nënkupton se njerëzit me diabet nuk do të duhet më të shpojnë gishtin për të nxjerrë gjak gjatë kontrolleve të tyre të përditshme. Thjesht mund të vendosni shiritin në gjuhë, të prisni disa minuta dhe më pas të shihni rezultatet në një aplikacion për telefonat e mençur, shkruan Daily Mail.
Projekti ka siguruar një financim prej 6.3 milionë dollarësh nga qeveria australiane për të krijuar një strukturë për të prodhuar në masë mjetet e provës nëse kalojnë provat klinike. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, me pajisjet e para që do të lëshojnë linjën e prodhimit deri në vitin 2023.
Projekti është udhëhequr nga Paul Dastoor, një profesor i fizikës në Universitetin e Newcastle në New South Wales. Profesori Dastoor u frymëzua nga gruaja e tij, një mësuese e shkollës fillore e cila ka ndihmuar fëmijët e vegjël të monitorojnë nivelet e sheqerit në gjak.
“Është tronditëse kur bie zilja e drekës dhe të gjithë vrapojnë në shesh lojërash, por disa ndalojnë për të dorëzuar gishtin për testimin e gjakut në çdo kohë vakt”, tha ai. “Vizioni ynë ishte të krijonim një botë ku askush nuk ka nevojë të derdh gjak për të ngrënë. Ky test vërtet hap perspektivën e testimit të sheqerit pa dhimbje, me kosto të ulët dhe shpresojmë që rezultate shumë më të mira për ata që vuajnë nga diabeti. Një perspektivë emocionuese është që në të ardhmen të kemi një test për diabetin që nuk përfshin shpimin e vetes katër deri në gjashtë herë në ditë”.
Glukoza në pështymë ekziston në përqendrime të vogla, kështu që një ‘platformë tepër e fuqishme’ është e nevojshme për ta zbuluar atë. “Pështyma gjithashtu përmban një bollëk të substancave të tjera, kështu që duhet shumë për tu siguruar që rezultatet janë të sakta”, tha profesori Dastoor.
Pajisja është një biosensor, që do të thotë se mat reagimet biologjike ose kimike duke gjeneruar sinjale. Shiriti përbëhet nga një tranzitor shumë i hollë që përmban një enzimë të quajtur glukozë oksidaza.
Kur vendoset në gjuhë, glukozë oksidaza reagon me glukozën në pështymë për të formuar peroksid hidrogjeni. Ky peroksid hidrogjeni më pas ‘zbërthehet’ në jone hidrogjeni që gjenerojnë një sinjal elektrik, i cili mund të merret, përpunohet dhe shfaqet nga një aplikacion për telefona të mençur. /Telegrafi/