Kur vetmia është një mikeshë e sinqertë

Kur vetmia është një mikeshë e sinqertë

Lifestyle December 30, 2020 - 23:44

Momentet e “largimit” janë shumë të rëndësishme për trurin: nuk kërkohen teknika të sofistikuara, por pushime të vogla që ju çlodhin dhe ju bëjnë të ndiheni më pak të vetmuar.

Ekziston një nevojë primare psikike, që e ka shoqëruar gjithmonë njeriun përgjatë historisë së tij: të jetë vetëm. Nuk po flasim për një vetmi të dëshiruar sociale, pasi njerëzit janë “krijuar” për të qenë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, por si të keni një mundësi për të gjetur pak kohë dhe hapësirë që të qëndroni me veten, të shkëputeni përkohësisht nga të tjerët dhe të përqendroheni më shumë te qenia juaj: të rizbuloni kuptimin e vetes, të ndieni, të ribashkoni.

Nuk bëhet fjalë për të medituar apo për t’u lutur, por thjesht për të mos u lidhur me rrjetin e zakonshëm të marrëdhënieve, si reale ashtu edhe virtuale. Momente kur mendja ka nevojë absolute të mos ndërpritet nga kërkesat e jashtme, në mënyrë që t’i kryejë të gjitha operacionet themelore: nga stresi i përditshëm, te qetësimi, përqendrimi, marrja e energjive dhe perceptimi i ndjenjave, që mund të arrihen vetëm në këtë mënyrë, transmeton Telegrafi.

Stili i jetesës që na imponohet nga shoqëria, nuk e parashikon atë, përkundrazi duket sikur ai bën gjithçka për të mos na lënë kurrë vetëm. Kërkesat profesionale, shoqërore, familjare dhe miqësore janë shumëfishuar, për shkak të teknologjisë që na bën të arritshëm në çdo kohë, duke rritur kështu nivelin e stresit.

Fitoni varësinë ndaj të tjerëve

Shembulli tipik për të shpjeguar këtë nevojë është ulja e një personi në stacionin e autobusit: ky mund të jetë një moment i mirëfilltë vetmie dhe “çlirimi” nga stresi. Jo më kot, kur njerëzit qëndrojnë në stacion duke pritur autobusin, shkëmbejnë mesazhe të panevojshme me dikë, thjesht për të mbushur kohën.

Për fat të mirë rikuperimi i këtyre momenteve “të shenjta” për sistemin nervor dhe ekuilibrin psikologjik nuk është i pamundur. Nuk është e nevojshme që të hiqni dorë nga mjetet e progresit, por të rregulloni përdorimin, për të fituar pavarësinë ndaj lidhjeve të vazhdueshme. Nëse ju nuk i rezervoni vetes pak vetmi, do të ndiheni të vetmuar në marrëdhëniet shoqërore.

Ligjëroni nevojën e vetmisë

Sot shkëputja nga marrëdhëniet, edhe për periudha të shkurtra kohore, duket pothuajse si një krim. Duke u bërë i pakapshëm për një orë, mund t’ju bëjë të ndiheni fajtorë. Prandaj është e nevojshme që të “ligjëroni” nevojën për të qëndruar pak kohë vetëm: nëse prisni që të jetë mjedisi i jashtëm ai që do t’ua krijojë këtë hapësirë, të jeni të sigurt se nuk do ta keni kurrë.

Ndaloni ndërhyrjet

Shpeshherë e nënvlerësoni rëndësinë e kësaj vetmie të nevojshme. Është e rëndësishme që t’i mbroni këto momente vetmie njësoj sikur jeni, për shembull, në një takim biznesi, të cilin nuk mund ta ndërprisni.

Mos e përdorni vetminë … për të punuar!

Duke qëndruar vetëm, nuk do të thotë se mund të gjeni kohën për “të ecur përpara” me punën, “të përfitoni nga koha e lirë” për të arritur planin, e kështu me radhë. Vetmia “e mirë” është ajo ku ju mund të bëni çfarë të doni, e cila nuk shndërrohet në diçka që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, na lidh përsëri me botën e jashtme dhe detyrat.

Duke qëndruar vetëm, nganjëherë ju bën mirë për këto arsye:

– Viheni në kontakt me veten
– Identiteti forcohet dhe stresi zvogëlohet
– Dëgjoni mendimet tuaja të mira dhe ndieni emocionet
– Ju vijnë mendime të mira
– Duke ndenjur në vetmi gjendet ekuilibri i mendjes dhe shpirtit
– Jeni më të predispozuar ndaj aktiviteteve sociale