Mishi i kuq dhe ai i përpunuar, shkaktarët kryesorë të kancerit të zorrëve
Mishi i përpunuar, duke përfshirë proshutën, sallamet, virshllet etj, janë ushqime të cilat nuk treten lehtë, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Edhe një sasi i vogël e mishit të kuq ose e atij të përpunuar në baza ditore, siç është p.sh proshuta, mund të rrisë rrezikun e paraqitjes së kancerit të zorrëve, thuhet në studimin më të ri. Ky studim i realizuar nga ekspertët e Oksfordit ofron dëshmi të reja se konsumimi i ushqimit të kuq mund të jetë i dëmshëm.
Studiuesit kanë analizuar të dhënat e gati 500 mijë personave të përfshirë në këtë studim në Britani të Madhe. Gjatë studimit të tyre 6-vjeçar, ata kanë zbuluar se te 2609 persona është zhvilluar kanceri i zorrëve.
Konsumimi i tri rriskave proshutë në ditë mund të rrisë rrezikun nga kanceri i zorrëve për 20 për qind. Studimi thekson se ata që nuk hanë fare mish të përpunuar ulin rrezikun nga kanceri për 40 për qind, shkruan më tutje "Zëri".
Ministria britanike e shëndetësisë i këshillon të gjithë ata që hanë mbi 90 gramë mish të kuq ose të përpunuar në ditë ta zvogëlojnë këtë sasi në 70 gramë.
Mishi i përpunuar, duke përfshirë proshutën, sallamet, virshllet etj, janë ushqime të cilat nuk treten lehtë dhe kanë mundësinë e ndryshimit të shijes me tharje ose shtim të kripës apo konzervanseve. Mendohet se kimikatet që përdoren në përpunimin e mishit janë shkaktarët kryesorë për paraqitjen e kancerit. /ZERI