Pse festohet Shën Valentini? Historia dhe simbolika e 14 shkurtit

Pse festohet Shën Valentini? Historia dhe simbolika e 14 shkurtit

Kuriozitete February 14, 2026 - 12:49

Çdo vit më 14 shkurt, miliona njerëz në mbarë botën festojnë Ditën e Shën Valentinit, një festë e lidhur ngushtë me dashurinë dhe romancën. Megjithatë, jo të gjithë e dinë historinë dhe origjinën e kësaj dite, e cila përzien legjenda fetare, tradita pagane dhe ndikime moderne kulturore.

Festa lidhet me figurën e Shën Valentinit të Ternit, i cili konsiderohet një nga personazhet kryesore që frymëzoi këtë traditë. Sipas legjendës, gjatë sundimit të perandorit romak Klaudi II, ushtria romake përbëhej kryesisht nga burra beqarë. Për të shmangur dërgimin e tyre në luftë, Valentini, i cili ishte peshkop në qytetin Terni, martonte fshehurazi çiftet e reja. Ky veprim nuk u pëlqye nga perandori, i cili urdhëroi ekzekutimin e tij.

Një tjetër tregim i lidhur me figurën e Valentinit thotë se, gjatë burgimit, ai i dërgoi një letër gruas që dashuronte, duke e nënshkruar me fjalët “Nga Valentini yt”, gjë që besohet se frymëzoi traditën e kartolinave romantike.

Megjithatë, rrënjët e festës shtrihen edhe më thellë në historinë pagane. Ajo lidhet me festivalin romak të fertilitetit, Lupercalia, një ceremoni e lashtë që festohej në mes të shkurtit dhe që përfshinte rite simbolike për pjellorinë dhe formimin e çifteve. Në fund të shekullit të pestë, kjo festë u ndalua nga Papa Gelasius, i cili shpalli 14 shkurtin si Ditën e Shën Valentinit.

Me kalimin e kohës, festa filloi të lidhej gjithnjë e më shumë me dashurinë romantike. Në Angli dhe Francë u përhap besimi se mesi i shkurtit përkonte me periudhën kur zogjtë fillojnë të çiftëzohen, duke forcuar simbolikën e dashurisë për këtë datë.Një tjetër simbol i rëndësishëm i kësaj feste është Kupidi, figura mitologjike që sipas poetëve të lashtë grekë dhe romakë përfaqësonte dashurinë. Ai përshkruhej si një hyjni që përdorte shigjeta magjike për të ndezur ndjenjat mes njerëzve, ndërsa më vonë u paraqit si një fëmijë lozonjar dhe simbolik për romancën.

Forma moderne dhe komerciale e Shën Valentinit u zhvillua në shekullin XIX, falë Esther Allen Howland, e cila nisi prodhimin masiv të kartolinave romantike në Shtetet e Bashkuara. Ajo konsiderohet “Nëna e Valentinit Amerikan”, pasi kartolinat që ajo prodhoi u bënë shumë të njohura dhe të përballueshme për publikun.

Sot, Shën Valentini është shndërruar në një festë globale që simbolizon dashurinë, miqësinë dhe lidhjet njerëzore, duke kombinuar traditat historike me kulturën moderne të dhuratave dhe gjesteve romantike./KultPlus