Festimet e Vitit të Ri në botë: Varje e qepëve në derë, vendosje e patateve nën shtrat e thyerje e pjatave

Festimet e Vitit të Ri në botë: Varje e qepëve në derë, vendosje e patateve nën shtrat e thyerje e pjatave

Kuriozitete December 31, 2025 - 19:08

Viti i Ri shënohet anembanë globit, në orare të ndryshme për shkak të ndryshimeve kohore.

Kjo ditë simbolizon përmbylljen e një viti dhe fillimin e një tjetri, ndërsa mënyrat e festimit ndryshojnë nga vendi në vend.

Disa nga traditat më të njohura përfshijnë fishekzjarret spektakolare, veshjen e të brendshmeve të kuqe, ngrënien e 12 kokrrave të rrushit, varjen e qepëve në dyer si dhe ecjen me valixhe bosh për një vit plot aventura.

Klan Kosova sjell më poshtë disa nga traditat më interesante të Vitit të Ri nga e gjithë bota:

Shfaqjet e fishekzjarreve

Një nga mënyrat më të njohura për të festuar Vitin e Ri janë fishekzjarret spektakolare. Në Zelandën e Re, Oklend Sky Tower ndizet me një shfaqje të mahnitshme fishekzjarrësh, ndër vendet e para që e festojnë Vitin e Ri.

Por spektakli vazhdon edhe në Australi, Kanada dhe Rio de Janeiro, duke ndriçuar qiellin në mesnatë.

Varja e qepëve në derë

Në Greqi, qepët nuk shërbejnë vetëm për gatim, ato simbolizojnë fat dhe begati.

Të varura jashtë derës, ato ndihmojnë për të tërhequr energji pozitive për vitin e ardhshëm.

Tri patate nën shtrat

Në Kolumbi, një traditë quhet “aguero”: tri patate vendosen nën shtratin e çdo anëtari të familjes, një e qëruar, një e paprekur dhe një tjetër pjesërisht e qëruar.

Në mesnatë, çdo person zgjedh një nga to me sy mbyllur, dhe nga kjo zgjedhje mendohet të parashikohet një vit i mirë, sfida financiare, ose një përzierje e të dyjave.

Thyerja e pjatave

Në Danimarkë, pas mesnatës njerëzit shkojnë tek dera e miqve për të thyer pjata, një shenjë e fatit të mirë për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, gjetja e pjata të thyera në pragun e shtëpisë konsiderohet si një paralajmërim i fatit të madh.

Përplasja e bukës në mure dhe dyer

Në Irlandë, për të larguar shpirtrat e këqij dhe për të nisur Vitin e Ri me begati, familjet përplasin bukë nëpër muret dhe dyert e shtëpisë.

Të brendshmet e kuqe

Në Itali, veshja e të brendshmeve të kuqe për Vitin e Ri simbolizon një të ardhme të ndritur dhe fat të mirë.

Ngrënia e 12 kokrrave të rrushit

Spanjollët e presin Vitin e Ri duke ngrënë 12 kokrra rrushi, një për çdo goditje të orës.

Tradita ka nisur në fund të shekullit të 19-të dhe besohet se sjell fat dhe largon të keqen – por vetëm nëse i hani të gjitha brenda sekondave të mesnatës.

Rënia e këmbanave

Në Japoni dhe Kore të Jugut, Vitin e Ri e shënojnë me rënien e këmbanave, në Japoni bien 108 herë, duke mbushur vendin me tinguj festues dhe energji pozitive.

Hedhja e mobiljeve të vjetra

Në Johanesburg, Afrikë e Jugut, njerëzit heqin të vjetrën duke hedhur mobilje të përdorura nga dritarja, për të hapur rrugën për gjëra të reja në vitin e ardhshëm.

Ecja me valixhe bosh

Në disa vende të Amerikës së Jugut, disa njerëz ecin me valixhe bosh në natën e Vitit të Ri, duke besuar se kjo sjell një vit plot udhëtime dhe aventura.

Gostia me shampanjë

Në Francë, tradita e Vitit të Ri nuk mund të kuptohet pa një dolli shampanje, muzikë dhe ushqime të shijshme që shoqërojnë festën.

Pastrimi i shtëpisë

Në Porto Riko, zakon është të nisësh vitin duke pastruar shtëpinë. Fryma është: “dil me të vjetrën, fut me të renë”, një mënyrë për të filluar vitin me rregull dhe energji pozitive