Zbulohen disa nga notat më të hershme muzikore në Pensilvani

Zbulohen disa nga notat më të hershme muzikore në Pensilvani

Kuriozitete October 28, 2025 - 22:02

Hulumtues në Pensilvani kanë zbuluar atë që mendojnë se janë disa nga notat më të hershme të shkruara në historinë muzikore perëndimore, në një dorëshkrim të shekullit të IX-të, i cili, sipas tyre, kishte qëndruar “i fshehur në sy të gjithkujt” për vite me radhë në duart e një koleksionisti privat, sipas “The Guardian”.

Shënime, karaktere dhe pika të ngjashme me shkurtime të shkurtra, shfaqen mbi fjalën “allelua” në dokumentin e gjetur, një fletë e një sakramenti latin, një libër liturgjik katolik përdorur në Evropën perëndimore gjatë meshës që mendohet se i përket fundit të viteve 800.

Ndërsa forma më të hershme të shkrimit të muzikës ekzistojnë, veçanërisht “Himni për Nikkal”, i gdhendur në pllaka balte që datojnë nga 1400–1200 p.e.s, shënimet e sakramentit janë ndër të parat të njohura që tregojnë lindjen e muzikës moderne perëndimore, sipas studiuesve.

Ato u zbuluan nga historiani dhe autori Nathan Raab, president i “Raab Collection”, gjatë vlerësimit të dokumentit që i ishte paraqitur nga pronari privat.

Raab beson se shënimet më parë janë anashkaluar ose keqkuptuar, dhe tha se ka kaluar muaj duke studiuar origjinën dhe rëndësinë e tyre.

“Kjo është një dëshmi jashtëzakonisht e hershme e përdorimit tonë modern të shënimeve muzikore në fillimet e saj, dhe zbulimi i saj është një kujtesë e mëtejshme për ne në fushën e zbulimeve historike që ndonjëherë ato zbulime fshihen në sy të të gjithëve”,  tha ai.

Dokumenti është krijuar ndoshta në Gjermani në gjysmën e dytë të shekullit të IX-të, tha Raab, dhe teksti është për shërbimet e Pashkëve. Shënimet muzikore, infleksionet dhe aksentet mbi fjalët përfaqësojnë udhëzime për ngritjen dhe uljen e tonit, “si ndihmë vizuale për këngëtarin”.

Shembujt më të hershëm të ruajtur të shënimeve muzikore në muzikën perëndimore janë dorëshkrimi i Laon Gradual, një kantë gregoriane, i ruajtur në bibliotekën komunale në Laon, Francë, dhe Cantatorium i Shën Gall në bibliotekën e abacisë në Saint Gallen, Zvicër, të dy anë fund të shekullit të IX-të ose fillim të shekullit të X-të.

Raab tha se dokumenti mesjetar në posedimin e tij, me vlerë 80 000 dollarë, mund të jetë edhe më i vjetër. Nuk njihet asnjë dokument më i hershëm në ndonjë koleksion privat ose që ka arritur në tregun privat, tha ai.

“Ndërsa muzika ka qenë një konstantë e kulturës njerëzore, forma e saj e shkruar nuk ka qenë,” thuhet në një njoftim për shtyp që shpall zbulimin.

“Kjo fletë qëndron ndër dëshmitë më të hershme për shënimin e muzikës në perëndim, së bashku me Laon Gradual dhe St Gall Cantatorium në datimin e saj më të hershëm të mundshëm”./rtsh