
Përse është rritur kërkesa për të mësuar gjermanisht?
Një studim i fundit tregon, se në shumë vende mësimdhënia e gjermanishtes është një profesion me të ardhme. Përse është rritur kërkesa për të mësuar gjermanisht?
Ai pritej me interes: studimi i ri mbi nxënësit e gjermanishtes në shkolla, universitete dhe institute gjuhësore në të gjithë botën. Mbledhja e të dhënave, që publikohet një herë në pesë vjet, identifikon trendet e mësimit të gjuhës gjermane dhe analizon "kushtet kornizë dhe sfidat" e gjermanishtes si gjuhë e huaj (DaF) në të gjithë botën.
Kësaj radhe studimi nuk përmban shifra. Ndërsa anketa e fundit e vitit 2020 tregonte rreth 15.45 milionë, tani vetëm mund të spekulohet, por raporti zbulon shumë trende, disa për tyre të habitshme. Punimi, i publikuar nga Ministria e Jashtme Gjermane, u prezantua në "Konferencën Ndërkombëtare të Mësuesve të Gjermanishtes" (IDT) në Lübeck.
Kush mëson gjermanisht dhe përse?
Gjermanishtja si gjuhë e poetëve dhe mendimtarëve, për ta lexuar Goethe-n në origjinal? Absolutisht e vjetëruar, nëse ky ka qenë ndonjëherë motivi. Sipas rezultatit kryesor të studimit, gjermanishtja mësohet kryesisht për t'u përgatitur për studime, trajnime ose për t`u punësuar në Gjermani.Studimi përmend ndër të tjera edhe vende si Kenia, Egjipti, Kameruni dhe Maroku. Edhe në Indi shifrat janë rritur ndjeshëm që nga marrëveshja e mobilitetit me Gjermaninë në vitin 2022, konfirmon Alexandra Mittler, drejtoreshë në Institutin Goethe në New Delhi. Ka bashkëpunime të shumta me shkolla të kualifikuara në Indi, për shembull në fushën e infermierisë. Mësimi i gjermanishtes ofrohet si pjesë integrale e përgatitjes për punë në Gjermani. Megjithatë ka mungesë mësuesish të kualifikuar si në shkolla ashtu edhe në mjedise jashtëshkollore. Trajnimi i mësuesve është një fushë e rëndësishme, që përfshin jo vetëm mësimin e gjuhës dhe metodologjinë, didaktikën, por edhe trajnimin ndërkulturor. Përveç kësaj po jepen njëqind bursa për kurse gjuhe dhe specializime në Gjermani, pasi mësimdhënësit duhet të përcjellin mundësisht një "imazh aktual dhe realist të Gjermanisë".
Sensibilizimi për kulturën para mbërritjes në Gjermani
Kjo është një pikë me shumë rëndësi, pasi aftësitë gjuhësore janë njëra anë, por përgatitja për një kulturë të ndryshme, me vlera potencialisht të ndryshme kërkon ndjeshmëri të veçantë. Studimi citon programe të ndryshme, si "Fit për tregun gjerman të punës", "Urë profesionale" dhe "Paraintegrimi dhe menaxhimi i tranzicionit", të cilat përtej aftësive gjuhësore synojnë përgatjen për jetën në Gjermani me një sensibilitet ndaj kulturës.
Tema të tilla si shumëllojshmëria, pjesëmarrja, LGBTQ+ dhe "gender" nuk janë të detyrueshme në programet e mësimit të gjuhës, por është sigurisht e dobishme të kesh dëgjuar për to, përpara se të udhëtosh për në Gjermani, thotë Akshita Dhamija, lektore në Institutin Goethe në Delhi. Në konferencën e mësuesve të gjuhës gjermane në Lübeck, ajo drejtoi seminarin "Kompetenca Gjinore si Çelës për Përfshirjen".
Mungesa e mësuesve problem në mbarë botë
"Sfida më e madhe në Nigeri është mungesa e mësuesve të gjermanishtes", thotë Moses Ayankulnle, një nga më shumë se 2.700 pjesëmarrësit e konferencës. Kërkesa për gjermanishten në Nigeri është e madhe, por atje nuk ka sa duhet mësues të kualifikuar. Një specializim në Gjermani është thuajse i pamundur pa një bursë ose një institucion, që e mbështet. është shumë e komplikuar, edhe përsa i përket vizës.
Është e nevojshme të veprohet, sepse mungesa e mësimdhënësve është një problem në mbarë botën, analizon studimi. Shkaqet janë të shumëanshme: shumë mësues dalin në pension, në disa vende nuk ka mundësi për përgatitjen e mësuesve të gjermanishtes, në vende të tjera, si Japonia dhe Korea, por edhe në jug të Evropës ndjehet ndryshimi demografik: Më pak lindje do të thotë më pak nxënës.
Kësaj i shtohet edhe fakti, që kryesisht në Amerikën Latine ofertat e gjuhës janë ndërprerë përgjithmonë, ose ka patur prioritet anglishtja.
Se sa fort ndikojnë në kuadrin e mösimit tö gjermanishtes vendimet e politikës arsimore në vende të ndryshme, e tregon trendi i kundërt si në Vendet Balltike. Në Lituani gati gjysma e të gjitha shkollave, të cilat ofrojnë gjuhë të huaja, e kanë gjermanishten në program.
Gjermanishtja është veçanërisht e kërkuar si gjuhë profesionale
Për vendet me rritje të lartë të popullsisë dhe me treg pune të kufizuar, Gjermania ofron perspektiva, përfundon më tej studimi. Në Institutin Goethe të Berlinit drejtoresha Manuela Beck sheh rritjen e nevojës për kurse mbrëmjeje për specialistët, që flasin anglisht në punë, por që e kanë të nevojshme gjermanishten për jetën e tyre të përditshme. Kurset online janë po ashtu gjithnjë e më të kërkuara, por ato nuk zëvendësojnë mësimdhënien në klasë.
Studimi arrin në përfundimin se një gjë është e qartë: metodologjia bashkëkohore, didaktika, metodat e mësimdhënies, që përfshijnë inteligjencën artificiale dhe njohjen e vendit, janë mjete thelbësore për të lehtësuar ardhjen në Gjermani të të rinjve dhe të moshuarve. Jo më pak e rëndësishme është që ata të frymëzohen për të mësuar gjermanishten. Ndoshta disa prej tyre do të dëshirojnë ta lexojnë Goethe-n në origjinal./DW