Sociologu Brajshori tregon pse kukulla “Labubu” është shndërruar në fenomen

Sociologu Brajshori tregon pse kukulla “Labubu” është shndërruar në fenomen

Kuriozitete June 30, 2025 - 10:56

Kukulla e quajtur “Labubu” është kthyer në një trend në rrjetet sociale së fundmi.

Edhe pse në pamje të parë kjo kukull nuk ka asgjë të veçantë, mirëpo rrjeti e ka bërë që shumë fëmijë të mos ndihen mirë emocionalisht pse nuk e kanë një kukull të tillë, shkruan Zeri.info.

Sociologu Jeton Brajshori ka treguar pse ndodhin fenomene të tilla në shoqëri rreth gjërave të thjeshta.

Ai ka thënë se sipas psikologut Gustave Le Bon, kur individi bëhet pjesë e një mase, ai humbet kontrollin racional dhe vepron emocionalisht. Turma nuk ndjek arsyen, por emocionin momental dhe kjo bën që njerëzit të ekspozohen ndaj një trendi dhe t’u rritet dëshira për ta ndjekur atë.

Brajshori thekson se ky fenomen quhet si FOMO (Fear of Missing Out) dhe në aspektin sociologjik shpeshherë shoqëria nuk funksionon në bazë të normave dhe një gjë shumë e thjeshtë dhe e parëndësishme mund të kthehet në normë sociale.

“Sociologu Pierre Bourdieu e shpjegon këtë përmes konceptit të kapitalit simbolik ‘ideja që njerëzit i ndjekin objektet apo trendet jo për vetveten, por për atë që ato përfaqësojnë në sy të të tjerëve. Kjo do të thotë se objektet shndërrohen në simbol të përkatësisë dhe statusit’.

E njëjta gjë po ndodh me lodrën ‘Labubu’. Personalitete me ndikim dhe figura publike po e koleksionojnë, jo sepse është domosdoshmërisht e vlefshme, por sepse është virale dhe është kthyer në një shenjë të të qenit ‘in’ dhe duhet patjetër ta kenë.

Pra, një lodër shumë e thjeshtë, por me ndikim të madh social, për shkak të dëshirës njerëzore për t’u identifikuar me grupin, për t’u dukur modernë dhe për të impresionuar të tjerët”, sqaron ndër të tjera sociologu Brajshori. /Zëri