Kosova stacioni i 25-të për gjermanin Karsten Rinck, që po shëtit Evropën në këmbë së bashku me qenushin e tij

Kosova stacioni i 25-të për gjermanin Karsten Rinck, që po shëtit Evropën në këmbë së bashku me qenushin e tij

Kuriozitete August 26, 2024 - 12:44

Karsten Rinck, një 43-vjeçar nga një fshat afër Hamburgut të Gjermanisë, vendosi të lërë gjithçka pas për të nisur një udhëtim nëpër Evropë.

Ai nuk është i vetëm në këtë aventurë, bashkudhëtarja e tij është Lotte, një qen dhjetëvjeçar, miksi i racave Labrador dhe Munsterlander, që e ka shoqëruar nga dita e parë e udhëtimit.

Në një intervistë për Telegrafin Rinck ka ndarë historinë e tij të jashtëzakonshme. 43-vjeçari planifikon të vizitojë 40 vende në total.

Kur pyetet për arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim, Rinck thekson se kishte sfida mendore dhe se ishte i frymëzuar nga kanadezi Jean Beliveau, i cili kaloi 11 vjet duke ecur rreth botës.

“Plani im është të vizitoj 40 vende në këtë kontinent dhe do të më duhet rreth 5 vite. Distanca totale do të jetë afër 25.000 km”, thotë ai.

Shteti i 25 që ka vizituar është Kosova dhe ai shprehet i entuziazmuar për vizitën në vendin tonë.

“E kam filluar këtë eksperiencë më 1 maj 2021. Kosova është shteti numër 25. Distanca totale deri më tani është 16 mijë e 700 km. 12 palë këpucë më çuan në gjysmën e kontinentit”, shprehet Rinck.

Rinck thekson se udhëtimi ka ndikuar thellë në mirëqenien e tij fizike dhe mendore.

“Trupi i njeriut mund të funksionojë në një nivel të jashtëzakonshëm. Por, sot, shumë njerëz kanë humbur këtë dije. Jeta jonë është nga shumë perspektiva tepër e lehtë”, thekson ai, duke vënë në dukje se ritmet natyrore të jetës ndryshojnë në varësi të stinëve.

Për sa i përket financimit të kësaj aventure, Rinck planifikon të shpenzojë rreth 25 euro në ditë, me një buxhet vjetor prej 10,000 euro.

Ai rrëfen se nuk ka pasur kurrë dëshirë të dorëzohet, edhe pse ka pasur momente të vështira, si kur qeni i tij Lotte kishte një tumor në këmbën e saj të djathtë.

Në fund, Rinck ndan një histori interesante që dëshmon fuqinë e pozitivitetit në jetën e tij.

“Çdo herë që kalova kohë të vështira, papritmas dikush vinte dhe më ndihmonte”, tregon ai.

“Kur rri pozitiv, mrekullitë më të jashtëzakonshme do të ndodhin”.

Rinck tashmë ka hyrë në Shqipëri, vendi i 26-të i udhëtimit të tij të jashtëzakonshëm.