Vdes personi më i moshuar në botë

Vdes personi më i moshuar në botë

Kuriozitete August 20, 2024 - 16:13

Personi më i moshuar në botë, Maria Branyas Morera e Spanjës, e cila lindi në SHBA në vitin 1907 dhe jetoi dy pandemi dhe dy luftëra botërore, ka vdekur në moshën 117-vjeçare.

“Maria Branyas na ka lënë. Ajo vdiq siç deshi: në gjumë, e qetë dhe pa dhimbje”, shkruan familja e saj në llogarinë e platformës X. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë për këshillat dhe mirësinë e saj”, shtuan ata.

Branyas, e cila kishte jetuar në dy dekadat e fundit në shtëpinë e të moshuarve Santa Maria del Tura në qytetin Olot në Spanjën verilindore, kishte thënë në një postim se ndihej e dobët.

“Koha është afër. Mos qaj, nuk më pëlqejnë lotët. Dhe mbi të gjitha, mos vuani për mua. Kudo që të shkoj do të jem e lumtur”, ka shkruar ajo në X.

Rekordet Botërore të Guinnessit e kishin pranuar zyrtarisht statusin e Branyas si personi më i moshuar në botë në janar të vitit 2023, raporton TheGuardian.

Personi më i vjetër i gjallë tani është Tomiko Itooka i Japonisë, i cili ka lindur më 23 maj 1908 dhe është 116 vjeç, sipas Grupit Kërkimor të Gerontologjisë në SHBA.

Branyas, e cila jetoi gripin e vitit 1918, luftën e parë dhe të dytë botërore dhe luftën civile të Spanjës, u infektuar me COVID-19 në vitin 2020, vetëm disa javë pas ditëlindjes së saj të 113-të. Ajo ishte e mbyllur në dhomën e saj në shtëpi, por u shërua plotësisht.

Branyas i tha uebsajtit të Guinness World Records se ajo besonte se jetëgjatësia e saj buronte nga “rendi, qetësia, lidhja e mirë me familjen dhe miqtë, kontakti me natyrën, stabiliteti emocional, pa shqetësime, pa keqardhje, shumë pozitivitet dhe qëndrimi larg njerëzve toksikë”.

“Unë mendoj se jetëgjatësia ka të bëjë gjithashtu me të qenit me fat”, tha Branyas, e cila përdori një pajisje zëri për t’u shprehur.