Al do të mund të parashikojë diagnozën e pacientëve, sipas një studimi
Inteligjenca Artificiale (Al) do mund të përdoret për të parashikuar gjendjen shëndetësore të një pacienti në të ardhmen, sipas një studimi.
Kryesisht, teknologjia do mund të përdoret për të ndihmuar mjekët kur bëhet fjalë për monitorimin e pacientëve ose marrjen e vendimeve rreth diagnozës së tyre.
Mjeti me Al, i njohur si Foresight, i përket të njëjtës familje të Al si ChatGPT, por është trajnuar duke përdorur informacione nga të dhënat elektronike, shkruan skynews.
Studiuesit kanë trajnuar tre modele të ndryshme të Foresight duke përdorur të dhëna nga më shumë se 811 mijë pacientë në Londër dhe një grup të dhënash të disponueshme në SHBA.
Nga testimet, rezultoi që Foresight ishte në gjendje të identifikonte saktë gjendjen shëndetësore të pacientit në 68 dhe 76 për qind të rasteve në Londër.
Ndërsa i saktë ishte në 88 për qind të rasteve kur përdoreshin të dhënat e SHBA-së.
Sipas autorit të studimit, Zeljko Kraljevic, këto gjetje tregojnë se mjeti “mund të arrijë nivele të larta të saktësisë në parashikimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve dhe demonstrimi i tij mund të jetë mjet i vlefshëm për të ndihmuar vendimmarrjen dhe informimin klinik”.
Ndryshe, ekipi hulumtues po kërkon përfshirjen e më shumë spitaleve në zhvillimin e Foresight 2, i cili pritet të jetë “model më i saktë”. /Telegrafi