Shtatori 2023, më i nxehti në histori
2023-shi po rezulton viti më i pazakontë sa i përket temperaturave. Agjencia Europiane për Ndryshimet Klimatike “Kopernikus” arrin në përfundimin se Shtatori i këtij viti rezultoi më i nxehti i të njejtës periudhë i shënuar ndonjëherë.
Temperatura mesatare e këtij Shtatori arriti 16.38 gradë Celsius, 0.93 gradë mbi mesataren e muajve Shtator të 29 viteve nga 1991 deri në 2020. Temperatura mesatare e këtij Shtatori ishte po ashtu 0.5 gradë më e lartë se rekordi i mëparshëm i regjistruar në 2020-ën.
E gjithë vjeshta e këtij viti duket më e ngrohtë se ato të mëparshmet në hemisferën veriore, teksa plazhi vazhdon edhe në Tetor. Më herët, kjo agjenci dha alarmin se Korriku dhe Gushti i këtij viti shënuan rekorde absolute si muajt më të nxehtë të regjistruar deri më tani.
Ekspertët e ndryshimeve klimatike thonë se ky pritet të jetë po ashtu viti më i nxehtë në histori me një temperaturë mesatare 1.4 gradë Celsius më të lartë se periudha paraindustriale vetëm 0.1 gradë Celsius larg objektivit të rënë dakord nga liderët botërorë në 2015, si kufi të lejuar për ngrohjen globale.
Sipas ekspertëve, kapërcimi i këtij kufiri pritet të ketë pasoja të pakthyeshme dhe tepër negative për jetën në planetin tonë.