Jo vetëm me sy, zbulohet peshku i rrallë që mund të “shohë” edhe me lëkurë
Një biologe ka zbuluar një peshk të rrallë i cili ka aftësinë “të shohë” përmes lëkurës.
Lori Schweikert gjatë një ekspedite në Florida Keys kapi një peshk që ka aftësinë të ndryshojë ngjyrë. Kur ajo do ta vendoste atë në një frigorifer, vuri re se lëkura e peshkut kishte marrë ngjyrën dhe modelin e dyshemesë së varkës.
Peshku e kishte kryer këtë proces edhe pse kishte ngordhur. Nga ky vëzhgim ajo nisi të mendonte se ky lloj peshku mund të kishte aftësinë për të perceptuar dritën përmes lëkurës, në mënyrë të pavarur nga sytë dhe truri.
Në studimin e saj të përbashkët me profesorin Sönke Johnsen, të publikuar në vitin 2018, Schweikert zbuloi se ADN-ja e kësaj specieje përmban një gjen për një proteinë që i përgjigjet dritës, opsinën e cila aktivizohet brenda trupit të tij.
Gjeni ndryshon nga gjeni i opsinës në sytë e peshkut. Pikërisht kjo aftësi i ndihmon t’i përshtaten mjedisit rrethues.
Nga vëzhgimet në mikroskop të lëkurës së peshkut, rezultoi se i përngjante një pikture ‘pointiliste’, çdo pikë me ngjyrë ishte në fakt një qelizë e specializuar që quhet kromatofor. Këto të fundit përmbajnë pikëza pigmentesh në ngjyra të ndryshme që ndryshojnë nuancën e lëkurës.
Një tjetër procedurë laboratorike zbuloi se opsina nuk ndodhej te kromatoforet, por një shtresë nën to. Kjo do të thotë se këta peshq mund të ‘shohin’ ndryshimin e ngjyrës së lëkurës së tyre.
Aftësia e përshtatjes së ngjyrës është gjithashtu e pranishme te oktapodët dhe disa lloje hardhucash.