Sot është dita më e gjatë e vitit
Foto: Zëri / Ilustrim

Sot është dita më e gjatë e vitit

Kuriozitete June 21, 2023 - 08:30

Sot (e mërkurë) do të fillojë stina e verës astronomike në orën 16:57 dhe do të zgjasë deri më 23 shtator, në orën 8:49.

Po sot, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon se do të ndodhë solstici veror, ku do të jetë dita më e gjatë e vitit dhe nata më e shkurtër. Kjo është dita më e gjatë e vitit, dielli do të lindë në orën 05.07 minuta dhe do të perëndojë në 20.17, gjithsej 15 orë, 9 minuta e 48 sekonda.

Dita e parë e verës në Kosovë do të jetë me temperature tipike të stinës, me minimalet që do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.

Përgjithësisht gjatë stinës së verës, ditët janë më të gjata dhe netët janë më të shkurtra në krahasim me stinën e dimrit. Kjo ndodh për shkak të këndit të më të madh të rrezatimit diellor në hemisferën veriore.

Në vende të ndryshme, ndryshon edhe gjatësia e ditës. Kjo varet nga vendi ku jeton. Në Alaska ka thuajse 24 orë dritë dielli, ditën e solsticit. Solstici veror në Hemisferën e Veriut bie çdo vit, në varësi të vendndodhjes, nga data 20 në 22 qershor dhe është dita kur Dielli është në pikën më të lartë, para nga Hemisfera e Veriut.

Në Hemisferën e Jugut kjo ndodh në datat 20 deri 22 dhjetor, kur Hemisfera e Veriut përjeton solsticin dimëror dhe ditën më të shkurtër të vitit.

Edhe pse stina e verës është në muajin e parë, pas datës 21 qershor ditët, ende më të gjata sesa nata, fillojnë të shkurtohen edhe pse në mënyrë të pandjeshme.