Hyri për të vjedhur, por u largua i turpëruar dhe ua la 200 dollarë pronarëve të shtëpisë

Hyri për të vjedhur, por u largua i turpëruar dhe ua la 200 dollarë pronarëve të shtëpisë

Kuriozitete February 02, 2022 - 14:18

Pronarët e një shtëpie në New Mexico u befasuan gjatë fundjavës që lamë pas, kur gjetën një hajdut në shtëpinë e tyre, i armatosur me një “AR-15”, e i cili më pas u kërkoi falje atyre, u dha para dhe doli i turpëruar.

Burri i dyshuar kishte fjetur, kishte bërë dush, kishte ngrënë dhe kishte pirë birrë në shtëpinë në fjalë para se pronarët të ktheheshin dhe ta gjenin atë, sipas policisë në Santa Fe, që citohet nga “Albuquerque Journal”, raporton “The Guardian”.

Ai ishte i armatosur me një “AR-15”, por nuk i kishte kërcënuar ata ose kishte marrë ndonjë bizhuteri a diçka tjetër.

Në vend të kësaj, ai ua kishte dhënë pronarëve 200 dollarë “si rimbursim për dritaren që e kishte thyer”, është thënë në raportin e policisë, transmeton Zeri.info.

I dyshuari madje kishte biseduar me pronarët, duke u thënë se ishte duke ikur nga dikush dhe se familja e tij është vrarë në lindje të Teksasit, sipas raportit.

Ai u ka thënë se i është prishur makina jashtë Santa Fesë. Pronarët u thanë autoriteteve se burri “ishte shumë i turpëruar dhe në faj për situatën”, theksohet më tej në raport. I dyshuari u largua nga shtëpia me çantën e tij. Dëmi që i shkaktoi familjes llogaritet në rreth 15 dollarë, ka thënë policia. Policia nuk e ka gjetur të dyshuarin ende. /Zëri