Kisha e pazakontë ku murgjit e guximshëm “ngjiten më pranë Zotit”

Kisha e pazakontë ku murgjit e guximshëm “ngjiten më pranë Zotit”

Kuriozitete February 24, 2021 - 21:50

Udhëtimi në rajone të largëta në Gjeorgji, është një përvojë që shoqërohet gjithmonë me zbulimin e të panjohurave, sidomos të kulteve dhe monumenteve fetare. E tillë është edhe një kishë e veçantë që fshihet në një zonë thuajse pa jetë. E ngritur në një lartësi 40 metra, në një monolit natyror guri gëlqeror, mbi të cilin qëndron, kisha është padyshim më e izoluara dhe më e shenjta në botë.

E ndodhur afërsisht 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi, kjo pikë e jashtëzakonshme është shumë e vështirë për t’u arritur, pasi dhe mjetet e transportit nuk e kanë të thjeshtë të depërtojnë atje.

Në krah të lartësisë qëndron një manastir dhe një kishëz e vogël, ku zakonisht grumbullohen dhe turistë të shumtë. Në majë të monolitit, Katskhi, ndodhet kisha e ndërtuar në shekujt XVI deri në të XVIII, kushtuar Maksim Rrëfyesit, një murg i shekullit të XVII. Aty ndodhet gjithashtu një dhomë varrosjesh, një bodrum vere dhe tri qeli të izoluara.

Çdo ditë, murgjit që jetojnë poshtë bëjnë ngjitjen 20-minutëshe, përmes një shkalle të hollë metalike të vendosur në anën e shkëmbit. Pelegrinazhi ditor për të kryer lutjen në atë lartësi thuhet se i afron ata me Zotin. Deri në vitin 2015, ata takoheshin gjithmonë me at Maxime Qavtaradze, i cili kaloi shumicën e kohës atje, për rreth 20 vjet dhe ishte murgu i fundit që jetoi në majë, aq sa arriti të ndërtonte edhe një kishë të re në shkëmb, në 1995.

Sot, lartësia shihet si një nga monumentet më të shenjta në Tokë dhe vetëm burrat nga një urdhër i veçantë fetar, pra murgjit vendas, lejohen të kryejnë ngjitjen nga manastiri poshtë e deri në kishë lart. Kreu i manastirit, udhëheqësi Ilarion, thotë për CNN Travel se që nga viti 2018, dekreti nga Patriarku Ilia II, Udhëheqësi Shpirtëror i Kishës Ortodokse Gjeorgjiane, ndalon çdokënd që të ngjitet në këtë kishë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, banorët e pakët që jetojnë pranë kësaj zone, e konsiderojnë këtë monument “lartësinë e jetës” dhe “një simbol i kryqit të vërtetë”./A2

Image

Image

Image

Image

Image

Image