Rreth 2500 gjuhë në botë drejt zhdukjes
Aktualisht ekzistojnë rreth 7 mijë gjuhë në botë dhe afërsisht 2.500 prej tyre po përballen me rrezikun e zhdukjes, paralajmëroi një përfaqësues i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në Turqi.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) me rastin e 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, kryetari i Komisionit Kombëtar të Turqisë (UTMK) të UNESCO-s, Prof. Dr. Alcal Oëuz, tha se nga 62 ditë ndërkombëtare të shpallura nga UNESCO, pesë kanë të bëjnë me gjuhët.
Oëuz thotë se në kuadër të kësaj dite, organizohen aktivitete për të mbrojtur diversitetin kulturor, si dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj diversitetit gjuhësor dhe gjuhëve që përballen me rrezikun e zhdukjes.
“Në botë ka rreth 7 mijë gjuhë. Në mesin e tyre, rreth 2.500 përballen me rrezikun e zhdukjes për shkak se numri i njerëzve që i flasin ato po zvogëlohet. Sipas statistikave dhe të dhënave të përpiluara, fatkeqësisht, në çdo 15 ditë, një nga këto gjuhë zhduket”, tha ai.
“Rrezikimi dhe zhdukja e gjuhëve është rritur viteve të fundit në veçanti për shkak të ndryshimeve sociale, politike dhe ekonomike në botë”, shtoi Oëuz.
Sipas tij, shumica e gjuhëve të rrezikuara përbëhen nga gjuhë që fliten nga më pak se 10 mijë njerëz.
Ai po ashtu tha se është e vështirë të gjenden folës të rreth 200 gjuhëve.
“Numri i gjuhëve të zhdukura nga viti 1950 është mbi 250”, tha Oëuz.
Shënimi më 21 shkurt i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare është miratuar në Konferencën e Përgjithshme të 30-të të UNESCO-s më 17 nëntor të vitit 1999./EO