Lopa e tërbuar futet në spital dhe sulmon pacientët
Një lopë u fut në një sallë pritjeje të një spitali në Kolumbi duke sulmuar pacientët që po prisnin në radhë.
Pamjet e siguruara nga kamera e sigurisë shfaqin lopën teksa hyn brenda sallës dhe nis të vrapojë sikurse një dem i çmendur.
Një grup njerëzish që gjendeshin brenda sallës vrapuan për t’u fshehur në një qosh por që u përcollën nga lopa e cila më pas u ndesh me ta, raporton “Metro” britanike.
Në video lopa shihet teksa rrëzohet disa here duke iu mundësuar kështu disa pacientëve të ikin, por la të lënduar një grua për toke teksa dy burra ia dolën ta tërheqin për pak kohë kafshën përmes konopit.
Megjithatë, ajo sulet sërish ndaj gruas së shtrirë për toke duke e sulmuar atë, para se një burrë ta ndjekë atë nga prapa e ta bëjë atë të largohet nga salla. Gruaja e shtrirë ndërkaq kërkon ndihmë, transmeton Zeri.info.
Incidenti bizar ndodhi në spitalin “San Rafael” në Kolumbi në komunën San Luis në departamentin e Antioquias.
Një video tjetër shfaq incidentin nga pjesa e jashtme e qendrës mjekësore ku një grup njerëzish thërrasin e i fishkëllejnë lopës, por ikin porsa lopa del jashtë.
Gazeta lokale “Vanguardia” tha se askush nuk është lënduar rëndë nga ky incident, ndërsa gruaja e rrëzuar u trajtua për lëndime të lehta derisa pjesa tjetër e pacientëve nuk kërkuan trajtim.
Lopa e çmendur dëmtoi edhe dy motoçikleta në hyrje të spitalit dhe disa karrige në pritore.
“Vanguardia” tha se pronari i lopës shkoi në spital për t’ju kërkuar falje për incidentin dhe u interesua për shëndetin e gruas së lënduar si dhe për dëmet materiale, mirëpo është e paqartë nëse ai planifikon të paguajë diçka. /Zëri