29-vjeçari ngujohet në mal për një javë pasi GPS-i e drejtoi në një rrugë të bllokuar
Një burrë që kishte mbetur për një javë të tërë i bllokuar në malet e Sierra Nevada të Kalifornisë për shkak se GPS-i e kishte drejtuar gabimisht në atë vend, është shpëtuar i gjallë.
Harland Earls 29 vjeçar ishte duke udhëtuar nga Grass Valley për në Truckee për një festë të ditëlindjes që do të mbahej më 24 janar.
Lexo Edhe:
Frizura unike e Ramush Haradinajt gjatë luftës
Ky udhëtim do të duhej të zgjaste normalisht për më pak se dy orë mirëpo një stuhi e madhe bore kishte bllokuar rrugën.
Earls i ishte drejtuar GPS-it të tij në kërkim të një rruge tjetër.
Aplikacioni e ka dërguar atë në rrugën më të shkurtër të hartës mirëpo kjo rrugë të qonte në një mal në të cilin makina e tij mbeti e bllokuar nga bora e madhe, duke i pamundësuar atij që të kthehej mbrapshtë, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.
“GPS-i nuk e di kur rruga mund të jetë e mbushur me borë të lartësisë së madhe apo kur është e pastër”, ka thënë për CNN Mike Fisher, oficer policie.
“I bllokuar dhe në pamundësi për të pasur sinjal në telefonin e tij celular, ai u përpoq të lidhte degë të vogla në gomat e veturës së tij për të bërë tërheqjen mirëpo në ato momente i kishte rënë edhe telefoni dhe i ishte lagur”, tha nëna e tij, Julie Earls për CNN.
Disa ditë më pas telefoni ishte tharë dhe kështu ai ka arritur më në fund të bënte një telefonatë.
Për të gjitha ditët që kishte mbetur i ngujuar në mal ai ishte ushqyer me disa kanaçe me fasule qe kishte me vete dhe bukë të mykur./Express