Policia zvicerane pranon sfidën e vallëzimit “Jerusalema”
Vallëzimi nën tingujt e hitit “Jerusalema”, i krijuar nga DJ Master KG nga Afrika e Jugut, është bërë viral në mbarë botën, transmeton Zeri.info.
Ky vallëzim ka mbushur rrjetin muajin e fundit, me grupe nga të gjitha kontinentet që po postojnë video të vallëzimit të “Jerusalema-Challenge”.
Tundimit për këtë vallëzim nuk bërë ballë as policia e Zugut të Zvicrës, e cila tani e ka prodhuar një video, dhe e ka postuar në “Facebook”. Videoja zgjat rreth 4 minuta.
“Ndonjëherë nuk të merr shumë kohë që të ballafaqoheni me jetën me një buzëqeshje. Ndoshta do t’ia dalim që të sjellim buzëqeshje edhe në fytyrat tuaja në këtë kohë që nuk është shumë e lehtë për askënd prej nesh”, thuhet në postimin e Policisë në Zug, duke arsyetuar pjesëmarrjen e tyre në këtë sfidë.
Kujtojmë se kënga “Jerusalema” u lansua tetorin e vitit 2019 dhe u bë hit i menjëhershëm. Kënga u pasua nga klipi i lansuar dhjetorin e viti 2019.
Ndërkaq sfida e vallëzimit nisi shkurtin e vitit 2020, teksa izolimi nga COVID-19 bllokoi pothuajse tërë botën. Ishin një grup prej 6 miqsh – katër meshkuj e dy gra – në Angolë të cilët e incizuan veten duke vallëzuar nën tingujt e këngës, teksa hanin ushqim. Shumë shpejt ky vallëzim u bë i famshëm nën etiketimet #Jerusalemachallenge apo #Jerusalemadancechallenge pasi video të ngjashme u shfaqën nga Evropa, Amerika Veriore e ajo Jugore.
Sipas gazetës jug-afrikane “Sowetan”, kënga u bë hit ndërkombëtar kur u lansua versioni remix në maj me megayllin nigerian, Burna Boy.
Kënga, në gjuhën IsiZulu, një nga 11 gjuhët nacionale të Afrikës së Jugut, është një lutje ndaj Zotit për ta dërguar këngëtarin në qytetin e shenjtë të Jerusalemit.
Kënga ka mbledhur mbi 312 milionë dëgjime në “YouTube” dhe është kënga që është kërkuar më së shumti në ‘Shazam’ në botë.
Edhe mbi 140 milionë herë tjera është dëgjuar në “Spotify”.
“Sowetan” raportoi se me hitin “Jerusalema”, Master KG u bë artisti i parë afrikan që kryesoi top-listat globale të “Shazam”, aplikacioni amerikan për identifikim të muzikës.
Kënga me ndikime ungjillore ka bërë punëtorë shëndetësorë, të ndërtimtarisë, murgesha e priftërinj, policë e grupe të ndryshme të vallëzojnë në mbarë botën, duke bartur maska e duke mbajtur distancën sociale për t’u mbrojtur nga COVID-19. /Zëri