Rekordet botërore Guinness për vitin 2020

Rekordet botërore Guinness për vitin 2020

Kuriozitete November 19, 2020 - 17:35

Në mbarë botën, ka persona me aftësi të jashtëzakonshme individuale, nga ata që thyejnë madje edhe rekorde botërore.  Janë të rinj e të moshuar që me aftësitë e tyre kanë arritur të marrin këtë vit një certifikatë për “Rekord Botëror Guinness”.

Britanikja Tinuke Orbit, me profesion balerinë profesioniste, e arriti qëllimin e saj: të vendosë një rekord botëror. Me patina veshur, ajo arrin të rrotullohet 30 herë brenda 60 sekondave, pa u rrëzuar asnjëherë. Orbit thotë vetëm përmes praktikës së vazhdueshme, të çdo dite për vite me radhë, ja doli të fitojë një rekord Guinnes.

“Sigurisht që me pandeminë globale, 2020 ka qenë një vit shumë I vështirë, ndaj vendosa ta shtyj veten, çdo ditë, në përpjekjet e mia për të arritur një rekord Guinness dhe ja arrita në mes të kësaj situate. Ishte e vështirë që të motivoja veten, pasi nuk mund të dilnim nga shtëpia, që të takonim miqtë apo të afërmit. Dhe qëndrimi në shtëpi më ndihmoi që të praktikohem gjithë vitin. Mendoj që ky çmim shkon për të ata që këtë e kanë patur një vit të vështirë dhe që e kanë patur vështirë, që njësoj si unë, të motivohen. Thjesht provojeni, vendosini vetes një sfidë dhe realizojeni sepse asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të arrini. Unë se mendoja asnjëherë që do arrija këtë gjë gjatë 2020”, thotë britanikja.

 “Dita e Rekordeve Botërore Guinnes është kthyer tashmë në një traditë vjetore, si një festë globale për ata që thyejnë rekordet. Dhe këtë vit, donim të vazhdonim traditën tonë pavarësisht sfidave të muajve të fundit. Këtë vit kemi patur rekorde shumë të bukura, ashtu siç kanë qenë 15 vitet e fundit”, deklaroi organizatori Craig Glenday.

Tre rekorde të reja Guinness u vendosën nga 3 basketbollistë të ekipit amerikan të basketbollit, “Harlem Globetrotters”. Kështu Rochelle “Wham” Middleton arrijë të bëjë kosh, me kurriz, nga distance 13.86 metra, duke kaluar rekordin e vendosur më herët nga Bull Bullard.

“Ndjesia që bëra këtë arritje dhe vendosa një rekord botëror është e jashtëzakonshme sepse e ndjeja brenda vetes që mund ta arrija. Një shoku im i skuadrës, Bull Bullard më dha bekimin e tij. E realizova dhe video im pushtoi internetin”, deklaroi entuziast Middleton.

Deandre “Dragon” Taylor hodhi topin e tij të basketbollit 6.12 metra në ajër duke e rrotulluar me gisht dhe e kapi më pas me përpikmëri, pa u dridhur asnjëherë.

Lucius “Too Tall” Winston e përplasi topin në tapet plot 62 herë Brenda një minute, pa e ndalur ritmin, duke siguruar një cmim Guinnes, për arritjet e tyre dhe stilin e veçantë.

 “Falë izolimit dhe karantinës, njerëzit në mbarë botën, kanë patur mundësinë për të përmirësuar aftësitë dhe talentet e tyre. Dita e Rekordeve Botërore Guinness 2020 është një festë për kreativitetin, dedikimin dhe pasionin e atyre që fituan dhe mbi të gjitha për ndjenjën pozitive dhe eksperiencën që ndanë me ne”, tha Glenday.

Kryeredaktori I Rekordeve Guinness veçon për këtë vit, kinezin Yu Te Hsin, 105 vjeç e 58 ditë, që është zyrtarisht personi më i moshuar në botë që shijon një shëtitje me parashutë. Për 2020-tën, ai është cilësuar si “Frymëzimi i vitit”, duke provuar se mosha nuk duhet të jetë kurrë pengesë për të arritur qëllimet tona.

“Në Kinë, një 105-vjeçar, është shndërruar në një fenomen sfidues, pasi është më I moshuari në botë, që hidhet me parashutë. Ky është rekordi më frymëzues në botë dhe e meriton një rekord botëror Guinness. Kjo tregon se mosha nuk mund të jetë kurrë një pengesë për të arritur qëllimet”, shtoi ai.

Një 23 vjeçar, Omeir Saeed, theu rekordin botëror për hedhjen më të gjatë me kërcim mbi ujë, në Abu Dabi. Ai kërceu lart 21 metra. Edhe në Japoni, çifti Hijiki dhe Angora vendosën një rekord të ri, pas kërcimit në çift mbi litar, 71 kërcime në 30 sekonda, pa u ngatërruar asnjëherë.

Ndërkohë iluzionisti Martin Rees arriti të fitojë një rekord Guinness, për 20 truket e tij magjike nën ujë, për më shumë se 30 minuta, në një pishinë në Angli. Rees tha se arritja e tij më e madhe nuk ishin truket magjike por mposhtja e frikës për të qëndruar aq gjatë nën ujë, pasi në vogëli ka rrezikuar të mbytet.

“Frika ime më e madhe ishte qëndrimi nën ujë sepse thuajse jam mbytur kur kam qënë I vogël. Ndaj kam patur gjithnjë frikë nga uji. Doja ta provoja këtë gjë për të mposhtur frikën time dhe të sfidoja veten në aftësitë e mia”, nënvizoi Reeves.

Zyrtarët e Rekordeve Botërore Guinnes i bëjnë thirrje publikut përqark botës, që të përfshihen me aftësitë e talentin e tyre, në rrjetet sociale, atje ku pikasen prej tyre./A2