Paraardhësit e dinozaurit “mund të kenë qenë të vegjël”

Paraardhësit e dinozaurit “mund të kenë qenë të vegjël”

Kuriozitete July 09, 2020 - 11:41

Dinozaurët shpesh mendohen si krijesa gjigante, por sipas dëshmive e hulumtimeve të reja, thuhet se ata në fakt ishin të vegjël.

Provat vijnë nga një fosil i porsahulumtuar, i gjetur në Madagaskar, që jetoi rreth 237 milionë vjet më parë dhe kishte shtat prej vetëm 10 cm, shkruan BBC-ja.

Kjo mostër mund të ndihmojë gjithashtu në sqarimin e origjinës së errët që e kemi aktualisht të pterosaurëve, zvarranikëve me krahë që e sundonin qiellin në kohën e dinozaurëve, raporton “Zeri.info”.

Ky punim është paraqitur në Akademinë Kombëtare të Shkencave.

“Ekziston një perceptim i përgjithshëm mbi dinozaurët që ishin gjigandë”, tha bashkautori Christian Kammerer, nga Muzeu i Shkencave Natyrore në Karolinën e Veriut.

“Por kjo kafshë e re është shumë afër divergjencës së dinozaurëve dhe pterosaurëve dhe është, për befasinë e të gjithëve, e vogël”.

Mostra, e quajtur “Kongonaphon kely”, u gjet në vitin 1998 në Madagaskar nga një ekip paleontologësh, i udhëhequr nga John Flynn nga Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore në New York.

Dinozaurët dhe pterosaurët i përkasin grupit Ornithodira. Sidoqoftë, për origjinën e tyre dihet shumë pak, pasi pak ekzemplarë janë gjetur nga afër rrënjës së kësaj linje.

“Kongonaphon” nuk është kafsha e parë fosile e vogël e njohur pranë rrënjës së pemës së familjes ornithodiran por, më parë, ekzemplarë të tillë konsideroheshin përjashtime të izoluara.

Në përgjithësi, shkencëtarët menduan se madhësia e trupit mbeti e ngjashme midis arkosaurëve të parë, grup ky më i madh i zvarranikëve, që përfshin zogj, krokodilianë, dinozaurë jofluturues, pterosaurë dhe ornitodiranë më të hershëm.

Është menduar se më pas ata janë rritur në përmasa gjigande, sipas BBC-së.

“Gjatë analizimit të ndryshimeve në madhësinë trupore përgjatë evolucionit arkosaur gjetëm prova bindëse se ata u zvogëluan dukshëm në fillim të historisë së linjës dinozaur-pterosaur”, tha dr. Kammerer. /Zëri