Hulumtimi i ri zbulon detaje të reja të “Vajzës me vath margaritari”
Foto: AFP

Hulumtimi i ri zbulon detaje të reja të “Vajzës me vath margaritari”

Kuriozitete April 28, 2020 - 14:45

Një hetim shkencor i pikturës “Vajza me vath margaritari” të Vermeerit, një nga pikturat më të famshme në botë, ka zbuluar elemente që e “personalizojnë” më shumë atë, ndonëse identiteti i saj mbetet mister.

Muzeu i artit “Mauritshuis”, ku qëndron piktura, të martën e dha njoftimin për këtë hulumtim, që është i pari në këtë kryevepër holandeze që nga viti 1994, ka zbuluar prezencën e qerpikëve të imët përreth syve të vajzës, që me syrin e thjeshtë nuk shihen, raporton AFP.

Hulumtimi po ashtu konstatoi ekzistencën e një perdeje të gjelbër në prapavijën që duket e zbrazët në pikturën që daton nga 1665, njëfarë “pëlhure e palosur” që është fshehur nën të zezën për shekuj, transmeton Zeri.info.

Hulumtuesit dhe dashamirët e artit në mbarë botën janë fascinuar vazhdimisht me pikturën e mjeshtrit holandez të kësaj vajze të re me shikim enigmatik, që bartë një çallmë të kaltër me të verdhë, një margaritar të rëndë të varur në veshin e saj.

Ajo ka inspiruar edhe vepra tjera arti, në veçanti romanin e Tracy Chevalierit, “The Girl with the Pearl Earring” i cili më 2003 u bë edhe film me aktorët Scarlett Johansson dhe Colin Firth.

Muzeu i Hagës, “Mauritshuis”, tha se hulumtuesit kanë përdorur teknika të pazakonta të fotografimit dhe skanimit, mikroskop digjital dhe kanë analizuar mostrat e ngjyrës dhe përmes tyre i jepet një ndjenjë “më personale pikturës sesa që është menduar më parë”.

Ky hulumtim ka nisur në shkurtin e vitit 2018 nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh.

Sipas “Mauritshuis”, margaritari në veshin e vajzës është një “iluzion” i bërë nga “prekje të tejdukshme dhe të errëta të ngjyrës së bardhë”, ndërsa varësja mungon.

Megjithatë, ky hulumtim nuk arriti të zbulonte identitetin e vajzës apo të konstatojë nëse ajo ka ekzistuar në të vërtetë apo është produkt i imagjinatës së Johannes Vermeer.

“Vajza nuk e zbuloi sekretin e identitetit të saj por megjithatë arritëm ta njohim atë pak më mirë”, tha drejtoresha e muzeut, Martine Gosselink, duke theksuar se hulumtimi për këtë vepër do të vazhdojë.