Universiteti i Stanfordit: Numri i të infektuarve me virus mund të jetë 80 herë më i lartë
Sipas një studimi të Universitetit të Stanfordit në Shtetet e Bashkuara, numri i të infektuarve me koronavirus mund të jetë deri në 80 herë më i lartë se shifra zyrtare në një rajon të Kalifornisë.
Në studimin e publikuar të premten u testuan mostrat e 3,330 personave në Santa Clara të Kalifornisë. Përmes këtij studimi u zbulua se virusi mund të jetë 50 deri 80 herë më i përhapur sesa që tregojnë të dhënat zyrtare.
Ky studim është i pari i një shkalle kaq të gjerë dhe ende nuk është vlerësuar nga hulumtuesit e tjerë. Ai u krye përmes identifikimit të antitrupave në individët e shëndoshë përmes shpimit të gishtit, për të zbuluar nëse këta persona ishin infektuar ose shëruar nga koronavirusi më parë pa e ditur, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Në kohën e studimit, Santa Clara i kishte 1,094 raste të infektimeve dhe 50 viktima të Covid-19. Megjithatë, bazuar në shkallën e njerëzve që kishin antitrupa në organizëm, ka gjasë që 48 mijë deri 81 mijë njerëz të jenë infektuar deri në fillimt të prillit, shifër 50 deri 80 herë më e madhe se numri zyrtar i të prekurve.
Këto rezultate lënë të kuptohet se koronavirusi gjithashtu mund të jetë shumë më pak vdekjeprurës sesa është menduar më parë. Deri të martën, shkalla e vdekshmërisë në Shtetet e Bashkuara ishte 4.1 për qind, ndërsa hulumtuesit e këtij universiteti thanë se gjetjet e tyre tregojnë që kjo shkallë është vetëm 0.2 për qind.