Burrat finlandezë do të kenë pushim sa gratë kur të bëhen baballarë

Burrat finlandezë do të kenë pushim sa gratë kur të bëhen baballarë

Kuriozitete February 05, 2020 - 16:00

Qeveria e re e Finlandës e ka publikuar planin për ofrimin e pushimit të barabartë prindëror për burrat dhe gratë në mënyrë që baballarët të kenë më shumë kohë në dispozicion për fëmijët e tyre.

Kështu, tash e tutje, të dy prindërit do të kenë pushim me pagesë prej 14 muajve. Suedia, e cila është shtet fqinj i Finlandës, e ka sistemin që ofron më së shumti pushim prindëror, plot 240 ditë nga dita e lindjes së fëmijës.

Qeveria finlandeze tha se dëshiron t’i përmirësojë mirëqenien dhe barazinë gjinore.

Ministrja për çështje shëndetësore dhe sociale, Aino-Kaisa Pekonen tha para gazetarëve se një reformë radikale për beneficionet familjare ka filluar në Finlandë dhe se qëllimi i saj është forcimi i marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve që në fillimin e jetës së të vegjëlve.

Sipas sistemit të deritashëm në Finlandë, gratë i gëzojnë 4.2 muaj pushim me pagesë, ndërsa burrat 2.2 muaj, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, muajin e kaluar tha se vendi i saj ende ka rrugë për të bërë në aspektin e barazisë gjinore dhe u ankua se shumë pak baballarë po kalojnë kohë me fëmijët e tyre në vitet e para të jetës së vogëlushëve.