Muzeu Etnologjik në pritje të vendimit të Komunës së Dragashit

Kultura June 23, 2016 - 08:23

Eksponate të periudhave të ndryshme kohore janë mbledhur në një vend dhe do të jenë të qasshme për banorët e komunës së Dragashit. Në qendrën e kësaj qyteze është duke u punuar për hapjen e Muzeut Etnologjik, i pari muze në këtë komunë.

Muzeu i hapur me iniciativën e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB) ka gjetur përkrahjen e banorëve të këtij rajoni të cilët kanë dhuruar eksponate të ndryshme. Muzeu do të jetë i hapur për publikun vetëm pasi ta themelojë Asambleja Komunale si institucion.

Muharrem Qafleshi, historian, tregon për “Zërin” se është hera e parë që në komunën e Dragashit po hapet një muze i tillë. “Dragashit i ka munguar një muze çfarëdo, por ky Muzeu Etnologjik është i nevojshëm për zonën e Dragashit”, ka thënë Qafleshi, sipas të cilit, po të mos hapej muzeu do të ishte e vështirë të ruheshin eksponatet.

Ai thotë se kur ka qenë drejtor i Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë shpesh ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Dragashit për hapjen e muzeut, por nuk ka hasur në mirëkuptimin e tyre, derisa tregon se iniciatorë për hapjen e Muzeut Etnologjik ka qenë CHwB-ja. “Duke i parë vlerat e trashëgimisë kulturore, veçanërisht ato materiale, është duke u hapur muzeu, përndryshe Komuna e Dragashit shquhet për trashëgimi shpirtërore e natyrore”, ka treguar Muharrem Qafleshi, duke shtuar se në muze do të ketë enë të ndryshme, mjete të punës, armë e veshje të rajonit të Dragashit.

“Patëm filluar një fushatë vetëdijesimi nëpër fshatra dhe u kemi treguar se kjo është për të mirën e komunës sonë”, tregon ai, derisa thotë se kanë arritur të krijojnë një muze jashtëzakonisht të mirë. “Kemi bërë edhe disa video të cilat do të shfaqen përmes ekranit në muze. Në një prej këtyre videove shihet se si është punuar pëlhura me vek”, ka thënë Muharrem Qafleshi, duke treguar se njerëzve u ka ardhur keq që nuk kanë mundur të kontribuojnë me eksponate, sepse i kanë hedhur, por ata që i kanë pasur me shumë dëshirë i kanë dhuruar. “Diku janë rreth 4 mijë eksponate”, ka treguar Qafleshi, sipas të cilit Komuna ka qenë bashkëpunuese, aq sa kanë pasur mundësi. “Edhe vetë pushteti lokal kur e kanë parë çfarë është arritur, janë të kënaqur”, ka thënë Qafleshi, duke shtuar se nuk janë përkrahur nga Ministria e Kulturës.

Zana Hoxha, menaxhere e projektit nga CHwB-ja, tregon se muzeu ka qenë pjesë e prioriteteve te “Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015” në shtatë komuna, duke përfshirë edhe Dragashin. Ajo thotë se Komuna e Dragashit në forumet që janë mbajtur e kanë parë si nevojë hapjen e një muzeu etnologjik. “Fillimisht ka qenë një proces më i ndërlikuar që të gjendet objekti, sepse ne kemi preferuar të përdorim një objekt që ka vlera të trashëgimisë kulturore, por ka qenë e pamundur. Nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat që i ka një muze”, ka treguar Hoxha, duke shtuar se bashkë me Komunën janë pajtuar të adaptojnë për muze një posllom që kishte filluar të ndërtohet për nevojat e shtëpisë së pylltarisë, por nuk ka përfunduar asnjëherë. “Disa qytetarë kanë qenë të interesuar të sjellin eksponate, me arsyetimin se më mirë të mbrohen në muze sesa në shtëpitë e tyre”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se tashti Asambleja Komunale do ta themelojë muzeun si institucion dhe pastaj të hapet.

“Menaxhimi do të jetë komplet nga Komuna e Dragashit, por CHwB-ja do të ofrojë ndihmë në rast nevoje”, tregon Hoxha për gazetën. Ajo thotë se Muzeu Etnologjik tregon jetën dhe mënyrën e jetesës së anës së Dragashit. Ajo ka treguar se në Dragash shumë njerëz i kanë hedhur gjërat me vlerë që i kanë pasur. “Ka qenë momenti i fundit të ruhen ato eksponate që kanë mbetur”, ka thënë Hoxha, sipas së cilës njerëzit kanë qenë bashkëpunues në mbledhjen e eksponateve.

Salim Jonuzi, kryetar i Komunës së Dragashit, ka thënë se ende nuk janë dakorduar se kur do të diskutohet në Asamblenë Komunale për Muzeun Etnologjik. “Ne e kemi ndërtuar muzeun, por ende nuk e dimë kur do të vijë në Kuvend”, është shprehur Jonuzi, i cili hapjen e muzeut e sheh si një iniciativë të mirë. “Është mirë që vlerat tona të trashëgimisë kulturore aty tregohen. Është mirë që gjeneratat e reja të dinë si është punuar, çfarë është punuar në të kaluarën”, ka thënë Jonuzi.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, është shprehur se në Departamentin që ajo drejton nuk kanë pranuar asnjë një kërkesë për mbështetje të Muzeut Etnologjik në Dragash. “Nuk do të thotë se nuk i mbështesim, aq më tepër këtë kategori ligjore e cila mbetet prioritet edhe tani”, ka thënë Aliu, duke shtuar se mbështetja mund të bëhet në forma të ndryshme. “Mbështetja mund të bëhet përmes subvencioneve për aktivitet të caktuar apo edhe për organizimin e ekspozitave, e në këtë rast etnologët e institucioneve vartëse mund të kërkojnë më shumë”, ka thënë Aliu.

Projekti për hapjen e Muzeut Etnologjik ka filluar të zbatohet në vitin 2014 dhe është financuar nga CHwB-ja përmes fondeve të shtetit suedez dhe Komunës së Dragashit.