Libri për dashurinë sjell në Prishtinë Jennie Dorny-n

Kultura June 12, 2016 - 08:47

Të kërkosh informacione në internet për Kosovën në gjuhën angleze apo frënge për autoren Jennie Dorny ka qenë sfiduese pasi që nuk ka shumë informacione, thotë ajo. Gjithë informacione që ka mundur t’i marrë janë ato për luftën e fundit të Kosovës. Kjo ka bërë që Dorny të mendojë se shenjat e luftës do të ishin të dukshme, do të ishte një garë zymtësie. Por vizita në kryeqytet dhe takimi me njerëz ka qenë befasues për të. Jennie Dorny, e cila punon në shtëpinë botuese “Editions du Seuil” në Paris, punon për drejtat e autorit në gjuhë të huaj. Jennie Dorny ka sjellë në Kosovë librin i saj “Kupidët kokëkrisur”, i përkthyer së fundmi nga gjuha frënge në gjuhën shqipe.

Jennie Dorny tregon për “Zërin” se “Kupidët kokëkrisur” është një libër për dashurinë, të gjitha lidhjet e dashurisë, dashuria mes një burri dhe një gruaje, por gjithashtu dashurisë mes dy burrave ose dy grave. Por rrëfimi në romanin e saj vjen mbi dashurinë mes dy grave. “Njëra nga gratë është amerikane dhe është artiste. Ajo krijon skulptura me trupin e femrave”, thotë Dorny për romanin e saj, duke treguar se ky personazh nuk gjen kënaqësi me jetën e saj. “Ajo nuk e di nëse i preferon meshkujt apo i preferon femrat. Dhe kështu ajo vendos që të shkojë për rezidencë artistike në Paris”, është shprehur Jennie Dorny. Kur personazhi kalon Atlantikun vendos që të duket si mashkull dhe të shkojë në Paris si burrë. “Bie në dashuri me një grua dhe mëson të zbulojë veten si grua derisa duket si një mashkull”, është shprehur Dorny, derisa thotë se ky nuk është i vetmi rrëfim që ndjek romani. Në të njëjtën kohë është një roman për shoqërinë, tregon autorja e “Kupidët kokëkrisur”. “Miqtë janë shumë të rëndësishëm për mua dhe jetën time. Kam dashur t’i dedikojë një miku dhe të gjithë miqve”, ka thënë Dorny. Ajo shprehet se ka lexuar libra ose ka shikuar filma kur njerëzit të cilët janë homoseksualë shikohen në mënyrë negative, ose thonë se nuk i duan njerëzit homoseksualë, nuk e di pse, por për shumë arsye negative. “Por për mua është vetëm dashuri. Nëse njerëzit e duan njëri-tjetrin çfarë ndodh dhe si janë ata, dy burra, dy gra, është e rëndësishme që ata të duhen, vetëm të ketë dashuri”, është shprehur Jennie Dorny, e cila romanin e fillon duke i prezantuar personazhet e saj ngjashëm si në dramë. “Kam filluar romanin në këtë mënyrë që të identifikohen më lehtë karakteret, për shkak të kupidëve, sepse kupidët janë pjesë e rrëfimit dhe dallohen në roman”, ka thënë Dorny, duke treguar se në Francë nuk ka pasur shumë kritika për librin. “Kjo është befasuese, por në të njëjtën kohë është botuar kur janë botuar shumë libra dhe shumë më të rëndësishëm”, është shprehur Jennie Dorny, duke treguar se ka marrë kritikë në Itali për librin. “Kritika e parë që e kam lexuar për librin është nga një botues italian, vitin e kaluar. Kam marrë dy kritika të ndryshme. Një në gazetën ‘La Repubblica’ dhe një tjetër ishte në një revistë lezbike, ku është mirëpritur libri”, ka thënë shkrimtarja, e cila ndihet mirë që romani i saj është përkthyer në shqip. “Jam shumë e lumtur dhe ndihem krenare që libri është botuar në shqip”, është shprehur ajo.

Jennie Dorny-t i pëlqen Kosova dhe thotë se ka takuar njerëz të mrekullueshëm. “Kjo vizitë ka hapur sytë e mi për një shtet që kam pasur informacione të limituara”, ka thënë autorja e “Kupidët kokëkrisur”, duke shtuar se nga Parisi nuk mund të merrini shumë informacione për Kosovën. “Po u thosha miqve dje se po kërkoja në internet informacione për Prishtinën, për Kosovën. Nuk ka shumë informacione as në frëngjisht, as në anglisht”, është shprehur Dorny, e cila në mungesë informacionesh e ka Kosovën. “Dhe nuk ishte ashtu siç e kam imagjinuar”, thotë Dorny, duke shtuar se ka dëgjuar për Kosovën kur ishte në luftë. “Dhe po prisja të shihja një qytet që ndoshta ende ka plagë të luftës dhe të ishte ndoshta i errët, në zymtësi”, ka treguar ajo, derisa ka thënë se nuk priste të takonte një shoqëri kaq të hapur dhe kjo ishte befasi që nuk e kishte pritur. “Udhëtimet gjithmonë të bëjnë të kuptosh dhe të zbulosh kultura në mënyra të reja. Kur sheh, kur dëgjon mëson shumë dhe jam shumë me fat që vizitova disa pjesë të qytetit”, ka thënë Jennie Dorny. Ajo shprehet se është shumë e rëndësishme të këtë libra që janë të përkthyer nëpër gjuhë të botës dhe kjo është puna e saj. “Kjo është si i njohim njerëzit edhe përmes internetit ose edhe kur i takojmë në panaire. Por të përkthen librat nëpër gjuhë të shteteve kjo është shumë rëndësishme”, është shprehur Dorny. Ajo ka thënë për gazetën se çdo shtet ka gjuhën e tyre dhe është mirë që librat të përkthehen në shqip nga gjuhë të tjera, por edhe nga shqipja të përkthehet po ashtu. “Kjo është sepse të lexosh libra që vijnë nga shtete të tjera të ndihmojnë të njohësh shtetin dhe kulturën është esenciale”, thotë Dorny, e cila aktualisht është duke shkruar një roman fantashkencë.