Hamami i Prishtinës, identiteti që po venitet
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve u shënua edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme, duke treguar për vlerësimin e monumenteve si simbol i qëndrueshmërisë në histori. Por për Hamamin e Madh të Prishtinës nuk mund të thuhet e njëjta, pasi qe shumë vjet është në një gjendje degraduese dhe pa mbikëqyrje profesionale.
Në një takim mes institucioneve dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore, ku pjesëmarrës ishin anëtarë të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” si dhe iniciativa “Ruaje Tënden”, u diskutua çështja e Hamamit të Madh të Prishtinës, gjendja momentale e tij, mundësitë dhe rekomandimet e mbrojtjes.
Sipas Gjejlane Hoxhës, udhëheqëse e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, që nga viti 2006 deri në 2008 në Hamamin e Prishtinës kanë dalë argumente të reja shkencore, që dëshmojnë se Prishtina është vendbanim parahistorik. “Argumentin e kemi brenda tek muret që duhen të ekzaminohen. Por për fat të keq, ato argumente janë dëmtuar si pasojë e punimeve të gabuara dhe kontrollit jo të duhur”, ka treguar Hoxha, duke shtuar se rëndësia e këtij hamami është e nivelit ndërkombëtar.
“Ka pasur tentime prej vitit 2001 që t’i qasemi kësaj ndërtese të restaurohet dhe të shfrytëzohet, por megjithatë përfundimi ka qenë i pasuksesshëm”, ka thënë Hoxha, sipas së cilës Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka punuar në një ekspertizë në vitin 2013 duke dhënë sugjerime konkrete të bazuara në ligj dhe i ka dërguar në institucionet relevante se çfarë duhet të ndërmarrin që ta shpëtojnë. “Megjithatë, nuk ka pasur efekt. Investimet nuk kanë munguar sepse ka pasur investime publike deri në 800,000 euro, ndërsa dikush duhet të japë përgjegjësi, jo vetëm për paranë e shpenzuar, por edhe për zhbërjen e autenticitetit të Hamamit të Prishtinës”, është shprehur Hoxha.
Sipas zëvendësshefit të zyrës në “Chwb” dhe arkitektit Nol Binakaj, ajo çfarë do të duhej t’i kushtohej rëndësi është se si ka ardhur deri tek shkatërrimi i hamamit. “Ndërsa tani që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është funksional, ka mundësi të ushtrojë detyrën dhe t’i ndihmojë Komunës dhe Ministrisë së Kulturës në të gjitha problematikat”, ka thënë Binakaj, sipas të cilit është e nevojshme të krijohet një mekanizëm për licencim. “Që momentalisht nuk kemi, andaj kemi edhe mungesë të kompanive që janë të specializuara për këtë punë”, është shprehur Nol Binakaj.
Sipas Donjetë Ahmetajt, nga organizata “Ruaje Tënden”, iniciativa e tyre ka për qëllim
ngritjen e vetëdijes qytetare dhe të institucioneve për shpëtimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. “Por duke i pasur parasysh dëmtimet nga tentimi i bërë për ta konservuar Hamamin e Madh të Prishtinës, ne u përqendruam në shpëtimin dhe mbrojtjen e këtij monumenti”, ka thënë Ahmetaj, duke shtuar se pas hulumtimeve të bëra, vizitave në terren dhe takimeve me zyrtarë të ndryshëm, dyshimet që kishin për gjendjen e hamamit u konfirmuan bindshëm.
“Në mars të vitit 2015 Komuna e Prishtinës organizoi një debat për gjendjen e tij, por tash qe një vit nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Ahmetaj sipas së cilës si qëllim kanë ta riaktualizojnë këtë temë dhe të ndihmojnë në shpëtimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Sipas saj, restaurimi ka filluar në vitin 2006, por është për të ardhur keq për gjendjen e tanishme të saj. “Faza e parë e renovimit filloi në vitin 2007, ku përgjegjës ishte kompania ‘Arda Rei’ me një kosto prej 88,000 eurosh. Faza e dytë e renovimit filloi më 2008 dhe përgjegjës ishte kompania ‘Valoni’ me kosto prej 237,000 eurosh, ndërsa faza e tretë filloi më 2012 ku përgjegjës ishte kompania ‘Daja Rrah’, me kosto rreth 420,000 eurosh”, ka thënë ajo, sipas së cilës, kompania e përzgjedhur nga ana e Komunës së Prishtinës nuk kishte përvojën e duhur për ta bërë konservimin e hamamit.
“Ata cituan se as nuk merreshin parasysh sugjerimet e Bordit të Ekspertëve gjatë punimeve të restaurimeve”, ka thënë Ahmetaj, duke cekur se rekomandimet e organizatës janë të bëhet publikimi i raportit të punës së Komisionit, të formohet një komision nga ekspertët e fushës për të vlerësuar punimet, të merren masa nga Komuna e Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës për ndalimin e degradimit të mëtutjeshëm të këtij monumenti dhe të hartohet plani i konservimit, restaurimit dhe kthimi i identitetit të hamamit.
Ndërsa Nait Hasani, kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se mbrojtja e trashëgimisë së kulturës duhet të jetë e domosdoshme. “Nuk është vetëm çështja e Hamamit të Prishtinës dhe të Prizrenit, por edhe shumë objekte të tjera e kanë humbur atë trashëgimi që e kanë pasur”, ka thënë Hasani, sipas të cilit, Këshilli për Trashëgimi Kulturore është i aktivizuar. “Ajo se çfarë duhet të bëjmë ne si Komision është që të dërgojmë dhe t’ia besojmë Këshillit mbrojtjen e objektit dhe ky Këshill është i obliguar të rrisë mbrojtjen e monumenteve dhe të angazhohet në monitorim”, është shprehur Hasani duke vazhduar se rekomandimet që janë dhënë në këtë takim nga palët e pranishme do të merren parasysh dhe do të punohet në mbrojtjen e Hamamit të Prishtinës.
Salih Morina, zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Arsim, Kulturë dhe Sport, ka thënë se Hamami i Madh i Prishtinës duhet gjithsesi të mbrohet dhe të shndërrohet në një monument me vlerë. “Duhet të punojmë bashkërisht për parandalimin e një degradimi të tillë. Jo vetëm të mbajmë takime të tilla si sot, por t’i parandalojmë me të vërtetë këto gjëra. Pas këtij takimi uroj të merren hapa konkretë në parandalimin e një situate të tillë që ka ndodhur me Hamamin e Madh të Prishtinës”, është shprehur Morina.