Nathalie Marin, e lindur me pasionin për të dirigjuar
E lindur me pasionin dhe dëshirën për të dirigjuar, dirigjentja nga Franca, Nathalie Marin, e cila po qëndron në Kosovë si dirigjente permanente deri në muajin qershor, tregon për “Zërin” se çfarë do të thotë të jesh dirigjente dhe rëndësia e muzikës si simbol i shoqërisë.
“Ishte një ëndërr që nga fëmijëria. Kur isha pesë vjeçe shpesh bëhesha kinse po dirigjoja, që në fillim pra e kisha në kokë që të bëhesha dirigjente”, ka thënë Marin, e cila thotë se familja e saj nuk është marrë me muzikë.
“Nuk ishte dikush që më ka influencuar që të bëhesha dirigjente, por vëllai im është ai që ka studiuar muzikë kështu që vetëm ne të dy filluam të merremi me muzikë”, është shprehur Marin, sipas të cilës pasionin e kishin të lindur.
“Nuk e di nga vinte por ishte aty. Unë dhe ai qysh herët donim të luanim muzikë kryesisht atë klasike pasi na interesonte më shumë”, ka treguar ajo, duke cekur se pasionin dhe dashurinë për muzikën, përkatësisht dirigjimin e kishte pasur qysh para se të ndikohej nga ndonjë muzikant.
“Ishte një pasion, një tërheqje ende pa ditur se çfarë është muzika. Pra kam lindur me pasionin dhe dëshirën për të dirigjuar”, ka thënë dirigjentja.
Nathalie Marin e cila ka studiuar në Francë në Conservatoire National de Lyon, ka përvojë të pasur si dirigjente pasi ka ushtruar profesionin e saj në shumë orkestra botërore.

“Kam qenë drejtoreshë artistike e Orkestrës Simfonike Nacionale të Ekuadorit, si dhe e Ansamblit Orkestral de l’Isère në Francë”, ka thënë Marin, e cila ka dirigjuar dhe në shumë orkestra të tjera si në Orkestrën e Brukselit, të Kanës, të Kilit, të Kosovës ndërsa që nga viti 2006 ka një bashkëpunim të gjatë me Orkestrën Nacionale Simfonike të Kubës.
“Përvojat janë shumë të bukura. Në Amerikën Latine ka shumë dirigjente gra dhe nuk ishte shumë e vështirë për mua, kështu që arrita ta bëja misionin tim atje”, është shprehur Marin, e cila së fundmi ka fituar konkursin për t’u bërë dirigjente permanente në Orkestrën Simfonike De la Salta në Argjentinë.
Për dirigjenten muzika është universale dhe internacionale. “Si dirigjentë kudo që shkojmë punojmë në mënyrën e njëjtë. Sigurisht që do ketë dhe dallime mes vendeve ku punon”, ka thënë ajo, duke cekur se është shumë interesante të njohësh kulturën e një vendi.
“Kur jeton në një shtet të huaj ke mundësi për të njohur kulturën e tyre, për të zbuluar rreth saj, njerëzit pra publikun më të cilët ndan jetën e përditshme, kjo është ajo që po ndodh dhe në Kosovë”, është shprehur Marin, e cila për herë të parë ka ardhur në Kosovë para tri viteve.
“Kam ardhur me mbështetje të Ambasadës Franceze të cilët më ftuan që të vija dhe viteve në vazhdim. Isha shumë e kënaqur me Orkestrën dhe Filarmoninë e Kosovës, ku mirësia dhe entuziazmi i tyre kanë qenë arsyet për t’u kthyer prapë”, ka thënë Marin, të cilën e kishte impresionuar dëshira e gjeneratës së re të Kosovës për të ndërtuar një shtet të ri.
“Kam dëshirë që me modesti edhe unë të jap një kontribut timin në këtë rrugë”, ka thënë ajo, e cila po qëndron në Kosovë nga muaji janar i këtij viti. Sipas Nathalie Marin, muzikantët në Kosovë përballen me shumë probleme dhe mungesë të kushteve.
“Por ajo që nuk mungon është pasioni dhe dëshira e tyre e madhe. Jemi duke punuar shumë dhe shpresojmë që do të themelohet një sallë adekuate e koncerteve”, është shprehur Marin, duke thënë se është detyrë e një shteti të ri të krijojë kushtet e favorshme.
“E në këtë rast ndërtimi i një objekti adekuat. Është shumë e rëndësishme për muzikën, pasi është një simbol bazë i një shoqërie, e siç thotë një thënie ‘Një shtet pa kulturë është një shtet pa të ardhme’”, është shprehur dirigjentja.
Për Nathalie Marin, orkestra është simbol i shoqërisë sepse për të luajtur bashkë duhet të jetosh bashkë.
“Respekti, disiplina, komunikimi, këto gjëra janë baza e një jetese të mirë në një shoqëri. Dhe ne jemi simbol i kësaj dhe shpresojmë që mund të shfaqim dhe të shkëmbejmë emocione me publikun”, ka thënë Marin, sipas të cilës puna e saj ka shumë aspekte të ndryshme.
“Së pari duhet të mësojmë bashkë e pastaj duhet të interpretojmë dhe kjo është diçka vështirë e shpjegueshme, është si lloj misteri, por kur ndajmë emocione ne sjellim diçka më shumë”, është shprehur Marin, e cila tregon për “Zërin” se në programin e “Javës Frankofone” që do fillojë nga 21 marsi, do të ketë shumë tema me emocione të ndryshme.
“Do ketë momente shumë emocionale, momente shumë të këndshme, të lumtura dhe është një program interesant ku do të ketë pjesë që nuk janë performuar më herët, siç është kompozitori nga Luksemburgu Alexander Mullenbach, Debussy e të tjerë pra është një program shumë i balancuar mes veprave të painterpretuara më herët dhe vepra të njohura”, ka treguar Marin, duke cekur se pas kësaj do të bëjnë koncert me “Dam Festival” me një dirigjent që vjen nga Brazili.
“Është e rëndësishme që Filarmonisë së Kosovës t’i jepet mundësia të punojë si të gjitha filarmonitë në botë”, është shprehur Nathalie Marin. /ZËRI/
