Jamie Donoughue: 'Shok' hapi dyer për Kosovën
Nuk e fituan statujën e artë, por ia kanë hapur dyert jo vetëm kinematografisë, por gjithë Kosovës. Regjisori i filmit “Shok”, Jamie Donoughue, ka treguar për “Zërin” rreth përvojës së tij dhe punën e madhe që është bërë gjatë promovimit të filmit në SHBA.
Për të pjesëmarrja në “Oscars” përpos që ishte një përvojë e jashtëzakonshme, në të njëjtën kohë ishte dhe një punë me shumë presion.
“Qëndrimi në Los Angeles ishte një presion i madh dhe njerëzit e shohin vetëm anën e bukur të ‘Oscars’, por nuk e shohin punën e madhe që bëhet aty”, ka thënë Donoughue, duke treguar se së bashku me Eshref Durmishin dhe Harvey Ascott kanë promovuar filmin vazhdimisht. “Kemi bërë intervista dhe kemi shkuar nëpër organizime të ndryshme. Ishte me të vërtetë një punë shumë e madhe dhe e vështirë, por ishte fantastike pasi udhëtuam nëpër shumë vende të Amerikës dhe arritëm ta shfaqim filmin”, është shprehur regjisori, duke cekur se filmin e kanë promovuar në qytetet e mëdha si: Los Angeles, New York, San Francisko dhe nëpër disa vende të tjera. “Filmin e kemi shfaqur në kinema lokale, kinema të mëdha, në ‘Museum of Modern Arts’ dhe në ‘Musem of Tolerance’ e vende të tjera”, ka thënë ai.
Jamie Donoughue ka thënë për gazetën se gjatë promovimit të filmit shumë kompani të mëdha të produksionit kanë treguar interesim për Kosovën. “Interesi ishte i pabesueshëm, ajo që na thoshin ishte se kishin dëgjuar shumë pak për Kosovën, por tani janë më të interesuar për këtë shtet, si dhe ishin të fascinuar për historinë dhe për ngjarjet e njëjta që ende po ndodhin në tërë botën”, ka treguar Donoughue, duke shtuar se kanë takuar disa skenaristë që kanë shprehur interesim.
Sipas regjisorit, kampanja e filmit “Shok” ishte më e madhja që “Oscars” ndonjëherë e ka parë për një film të metrazhit të shkurtër. “Vëmendja është gjithmonë tek filmat e mëdhenj, por pasi përfundoi ‘Oscars’ nuk kishte person që nuk dinte për Kosovën dhe për ‘Shok’”, është shprehur regjisori, duke shtuar se çdo aktor në tepihun e kuq e njihte filmin. “Si dhe djemtë, Lum Veseli dhe Andi Bajgora, ishin fantastikë. Na pyesnin se a janë të ushtruar se si të sillen në tepih të kuq, aq ishin të mirë”, ka thënë Donoughue, duke cekur se gjithë ata që kontribuuan në krijimin e filmit e jo vetëm ata në tapet të kuq kanë bërë që të arrijnë atje.
Për regjisorin mosfitimi i çmimit ishte një zhgënjim. “Në shumë prej magazinave më të famshme ishim favorit për të fituar dhe të gjithë mendonim që do të fitonim, por kur nuk i dihet e kjo na krijonte shumë presion”, është shprehur Donoughue, i cili thotë se janë dëshpëruar pasi ishin shumë afër çmimit. “Por në fund të fundit e gjitha është vetëm një statujë nga ari, por ajo çfarë është arritur me filmin është më e rëndësishme, sepse tani shumë dinë për Kosovën dhe dera është e hapur për njerëzit të hyjnë përmes saj”, ka thënë Donoughue.
Për të pjesëmarrja në “Oscars” tregon se është diçka e arritshme.“Nga puna e madhe, përkushtimi dhe mbështetja është diçka që mund të ndodhë prapë. ‘Oscar’ duket si diçka e jashtëzakonshme, por në të vërtetë është vetëm një grup njerëzish të cilët e duan filmin”, ka thënë Donoughue, i cili tanimë ka filluar krijimin e disa projekteve.
“Si plan kam për të bërë një dramë në BBC, si dhe kam shkruar një dramë amerikane të cilën do ta zhvilloj në Amerikë, që është një seri rreth një ngjarjeje të vërtetë e vendosur në San Francisko”, ka treguar regjisori, i cili ka në plan të bëjë një film të metrazhit të gjatë në Kosovë. “Ka shumë njerëz të interesuar për ta xhiruar një film të metrazhit të gjatë në Kosovë, por nuk dua të ngutem sepse për ‘Shok’ më janë dashur katër vjet për ta bërë, kështu që po punojmë shumë për të bërë një film tjetër”, ka thënë ai duke cekur se do të jenë prapë ekipi i njëjtë veçse do të zgjerohen më shumë.
Sipas Donoughue, Qeveria dhe të gjithë duhet kuptuar rëndësinë e artit, kulturës dhe sportit. “Këto janë tre mënyrat më të lehta për eksport dhe këtu janë ndër artistët dhe aktorët më të aftë dhe potencialisht ndër filmbërësit më të mirë”, është shprehur Donoughue, i cili ka ardhur në Kosovë në vitin 2010.
“Erdha që t’i ndihmoja një mikut tim rreth një reklame dhe kisha në plan të qëndroja vetëm 3 ditë. Mirëpo që ditën e dytë shpërtheu vullkani në Islandë dhe nuk kishte fluturime për t’u kthyer në Londër për pesë javë”, ka treguar Donoughue, i cili gjatë asaj kohe kishte filluar të mësonte më shumë rreth Kosovës. “Dhe në katër vjetët në vijim, vija vazhdimisht në Kosovë për të hulumtuar sa më shumë”, ka thënë regjisori, i cili para së të bëhej regjisor filmash ishte regjisor i videove muzikore. “Por arrita në një pikë kur nuk më mjaftonte dhe doja të tregoja rrëfime. Dhe që nga dita e parë në Kosovë kam parë që ky vend ka potencial për të krijuar filma dhe mund të bëhet një industri në vete”, është shprehur Donoughue, sipas të cilit si Kosova dhe Shqipëria mund të promovojnë veten. “Kanë qytete të mrekullueshme, natyra e vendit është mrekulli dhe duhet të tregojnë që janë vende ku Hollywood-i mund të vijë”, ka thënë ai sipas të cilit nuk duhet lejuar që lufta të definojë një vend. “Ka shumë rrëfime në vend, si dhe filmi i ardhshëm mund të jetë një film komedi apo një horror, pra nuk duhet të jetë vetëm për luftën”, është shprehur Donoughue, i cili kur kishte ardhur për herë të parë në Kosovë i kishin treguar për Prekazin. “Sakrifica që ishte bërë atje më ka mahnitur dhe është e rrallë të kesh një hero të kohës moderne si Adem Jashari”, ka thënë regjisori të cilin Prekazi e bindi që duhej të tregonte një rrëfim për atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Donoughue dëshiron që suksesi i filmit të mos mbetet vetëm për film. “Por dhe për kauza të rëndësishme si ndalimi i luftërave mes qenve, ngritja e vetëdijes për refugjatët dhe të ndalojmë shumë gjëra negative”, ka thënë ai i cili dëshiron të themelojë një strehimore për qentë endacakë në Kosovë. “Shpresoj që dhe Qeveria të bëjë diçka për qentë dhe është një gjë shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e duhur për qentë endacakë”, ka thënë ai.