Venecia, vendi më i rrezikuar në trashëgiminë e Evropës
Laguna e Venecias është vendi më i rrezikuar në trashëgiminë e Evropë, këtë e ka thënë organizata për trashëgimi “Europa Nostra”. Pesëdhjetë vjet pas përmbytjeve të mëdha në Firence dhe Venecia, bënë që komuniteti ndërkombëtar të mobilizohet për veprim, në bashkëpunim me Institutin e Bankës Evropiane për Investime, duke u bërë thirrje qeverisë italiane, veneciane si dhe liderëve politikë dhe të biznesit që të bashkojnë forcat dhe të veprojnë para se të jetë tepër vonë. Gjithashtu, kërkuan që Komiteti i Trashëgimisë Botërore të shtojë Venecian në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në listën e vendeve të rrezikuara.
Rritja e nivelit të detit, numri i madh i turistëve, anijet e mëdha turistike në lagunë, erozioni i shtratit të detit, kanalet e thella dhe mungesa e një plan-menaxhimi për të rënë dakord për Venecian, ka krijuar probleme dhe ka vënë qytetin në rrezik.
“Europa Nostra” ka shkuar në Venecia për të paralajmëruar dhe për t’i rikujtuar botës se Venecia nuk do mund të mbijetojë pa lagunën e saj”, ka thënë presidenti i organizatës dhe njëherësh operist Placido Domingo, raporton “Artnews paper”. Ai ka thënë se Venecia ka lindur nga ujërat. “Laguna jo vetëm që pasqyron origjinën dhe të kaluarën e këtij qyteti historik, por është edhe një organizëm që i jep ajër qytetit, e për këtë arsye është e domosdoshme që të sigurohet e ardhmja e Venecias”, ka thënë ai. Kësaj thirrje i është përgjigjur dhe ish-kryetarja e fondacionit “Venecia në zhdukje”, Anna Somers.
“Ky identifikimi i Venedikut, si jashtëzakonisht shumë i rrezikuar, përforcon mesazhin e dhënë në vitin 2014 nga Fondi Botëror i Monumenteve, kur është vënë qyteti në listën e vendeve të rrezikuara. Gjithashtu dhe UNESCO po lajmëron që do të shtojë Venecian në listën e vendeve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore, kjo veçse tregon se ka ardhur koha që qeveria italiane të fillojë të marrë përgjegjësinë mbi Venecian më seriozisht”, ka thënë Somers.
Francesco Bandarin, drejtori i përgjithshëm në UNESCO për kulturë, ka thënë se UNESCO është duke përgatitur një raport mbi Venecian për në mbledhjen e Komitetit të Trashëgimisë Botërore që do të mbahet në Stamboll në muajin korrik. Sipas tij, UNESCO po e merr me shumë seriozitet reagimin e organizatës “Europa Nostra” dhe vendimin për të deklaruar Venecian si qytet i rrezikuar.
“Europa Nostra” është Federatë për Trashëgimi Kulturore, që ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. “Europa Nostra” mbulon pothuajse 50 vende në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Ajo është e përbërë nga më shumë se 250 organizata anëtare, 150 organizata të lidhura dhe ka 1500 anëtarë individualë të cilët drejtpërsëdrejti mbështesin misionin e “Europa Nostra”.