Dokumentari rreth vrasjeve të nderit, i nominuar për “Oscar”
Sharmeen Obaid Chinoy, një regjisore e filmave dokumentarë nga Pakistani, po ngrit vetëdije rreth vrasjeve në emër të nderit. Ajo me dokumentarin e saj të vitit 2012 “Saving Face” ka fituar çmimin “Oskar” dhe kjo e ka bërë atë fituesen e parë nga Pakistani që fiton një “Oskar”. Dokumentari tregon për sulmet me acid që po u bëhen grave, sidomos në numër të madh në Lindje të Mesme. Këtë vit ajo është nominuar prapë me dokumentarin e saj “A Girl in the River: The Price of Forgivenes”, që tregon ngjarjen e një vajze 19-vjeçare Saba Qaiser nga Pakistani, e cila në vitin 2014 është qëlluar me armë në fytyrë nga babai dhe axha i saj dhe është hedhur në liqen, e gjithë kjo veç pse ajo ishte martuar më një djalë pa lejen e familjes. Saba fatmirësisht ka shpëtuar nga ky sulm dhe kishte arritur që të shkonte tek një pompë e benzinës aty afër për të kërkuar ndihmë. Edhe pse babai dhe axha i saj u arrestuan, ajo prapë ishte nën presion për t’ju falur aktin e bërë, që sipas ligjit në Pakistan nënkupton se ata mund t’i ikin ndëshkimit.
Me këta dokumentarë Chinoy dëshiron të tregojë për “vrasjet e nderit” nga perspektiva e të mbijetuarve, pasi që shumë viktima të këtyre vrasjeve nuk shpëtojnë.
“Është shumë e vështirë të tregosh për këto ngjarje nëse nuk e ke dikë që e ka përjetuar, sepse ashtu kurrë nuk do të arrish të kuptosh se çfarë kanë përjetuar viktimat”, ka thënë Chinoy, sipas “The Guardian”.
Ajo për një kohë kishte kërkuar të mbijetuar nga këto akte dhe një ditë kishte lexuar në gazetë për një vajzë që ishte qëlluar dhe ishte hedhur në liqen, mirëpo kishte shpëtuar. “Menjëherë shkova në atë spital dhe e gjeta vajzën, e cila pranoi që të bisedonte me mua”, ka thënë regjisorja. Rreth njëmijë gra vriten çdo vit në Pakistan për shkak të nderit, mirëpo numri mund të shkojë më shumë pasi shumë prej rasteve nuk raportohen. Sipas Chinoy, problemi i këtyre vrasjeve është se askush nuk flet për to, babai vret vajzën dhe askush nuk e ngrit zërin, viktimat mbeten pa emër, pa fytyrë dhe askush nuk dëgjon për to. “Familjet nuk e raportojnë sepse mendojnë që do t’ju sjellë turpëri, kështu që me këta dokumentarë tentojmë t’i sjellim në dritë këto raste dhe të bëjmë me dije se nuk kanë lidhje me nderin, por me vrasje të gjakftohta”, ka treguar Chinoy për “The Guradian”.
Dokumentari i saj do të garojë në kategorinë për dokumentarin më të mirë në Akademinë “Oscars”, që do të mbahet më 28 shkurt. Ndërsa Saba, viktima për të cilën tregohet në dokumentar, tani është e martuar me burrin që do dhe është në proces të krijimit të një identiteti, të cilin familja e saj është munduar ta zhdukë.