Yuko Shimizu, ilustruesja japoneze që pëlqen librat e Kadaresë (Foto)

Kultura janar 03, 2016 - 12:02

Talentin e saj për art e ka shfaqur qysh në fëmijëri të hershme. Por për njëmbëdhjetë vjet ajo ka punuar për marketingun e një korporate. Arti i saj fillon të marrë shpirt pas moshës 30-vjeçare, kur Yuko Shimizu fillon të studiojë në këtë fushë.

Kombinimi i arteve tradicionale japoneze me atë modern sjell një art unik me një sens të kulturës komike, duke u shfaqur në revista prestigjioze si “Rolling Stones”, “New York Times”, si dhe në shumë libra dhe magazina të tjera.

Image

Yuko Shimizu - Photo by: Giorgio Arcelli 

Shimizu, ilustruesja japoneze, e cila jeton në New York dhe është instruktore në Shkollën e Arteve Vizuale, thotë se një nga shkrimtarët e saj të preferuar është Ismail Kadare dhe se “Kështjella” është libri i parë i shkrimtarit shqiptar që e ka lexuar. Ajo ka lexuar edhe “Pallatin e ëndrrave”, “Doruntinën” dhe “Aksidentin”, ndërsa në radhë janë “Darka e gabuar”, “Prilli i thyer” dhe “Kronikë në gurë”.

Pavarësisht dashurisë dhe lidhjes me artin që në fëmijërinë e saj, Shimizu ka studiuar marketing në kolegj dhe pas diplomimit ka punuar në një korporatë për 11 vjet. Në moshën 30-vjeçare ajo vendos t’i përkushtohet artit, duke dhënë dorëheqje nga puna dhe nis studimet në Kolegjin e Arteve në New York.

Image

“Kështu që ilustrimi është profesioni im i dytë, të cilin e ushtroj për më shumë vite sesa të parin”, ka thënë Shimizu për “Zërin”. Për të arti është një proces i gjatë i të mësuarit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm. Shimizu thotë puna e saj bazohet më shumë në hulumtim sesa në frymëzim. 

“Pasi që punoj komercialisht, punën që e bëj bazohet më shumë në hulumtimet që bëj sesa në frymëzim. Lexoj dhe hulumtoj për subjektin, të cilin kam vendosur të ilustrojë dhe ajo çfarë nxjerr nga hulumtimi e bazoj në veprat që ilustroj, që në këtë sens nuk duket aq frymëzuese”, tregon Yuko Shimizu për punën e saj, të cilën e bën kryesisht në bazë të asaj se çfarë i kërkon klienti. “Në këtë pikë që gjendem tani, klientët vetëm i dinë aftësitë e mia, mirëpo nëse kërkesat apo projektet nuk janë të përshtatshme për mua, i refuzoj dhe ju them që të kërkojnë dikë tjetër për realizimin e tyre”, ka thënë ilustruesja, duke cekur se rezultatet janë të bazuara në hulumtimet që i bën rreth projektit.

Image

Shimizu shprehet se kryesisht kalon dy deri në tre ditë për t’i përfunduar ilustrimet. 

“Varet sa i komplikuar është ilustrimi, ndonjëherë është shumë i lehtë, e ndonjëherë shumë i vështirë. Së fundmi kam punuar me një kompani në Japoni në një poster të madh, që më ka marrë thuajse një javë kohë”, ka treguar Yuko. Ajo thotë se vizaton me furçë dhe bojëra uji në letër, pastaj punimin e skanon në kompjuter dhe ngjyrosjen e bën në photoshop.

“Njerëzit më thonë se puna ime ua kujton punimet e vjetra japoneze edhe nëse subjekti nuk është me përmbajtje aziatike”, ka thënë ilustruesja, e cila bën punime për gazeta, magazina, kopertina të librave, reklama dhe gjithashtu ka një kursin online “Skillshare”, ku jep mësime për ilustrime.

Image

Yuko Shimizu, një nga frymëzimet e saj më të mëdha e cilëson udhëtimin nëpër botë dhe takimin me njerëz të rinj. “Udhëtimet nëpër vende që nuk i kam parë kurrë dhe takimi me njerëz të rinj është ndër dhuratat më të mira të jetës dhe një burim i madh frymëzimi”, ka thënë Shimizu, e cila së fundmi ka vizituar Vjenën. 

“Kur shohim lajme dhe ngjarje nga bota përmes medieve, njohuritë tona mbesin të ndryshkura dhe të anuara, mirëpo kur takojmë njerëz dhe diskutojmë përvojat ballë për ballë vetëm atëherë na hapen sytë dhe mësojmë se çfarë po ndodh me të vërtetë”, tregon artistja për gazetën, derisa thotë se para dy vjetësh ka mbajtur disa punëtori në Sarajevë dhe ende ka kontakt me shoqërinë që ka krijuar atje.

Image

“Gjithashtu kam shumë dëshirë të vizitoj Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha vendet që ende nuk i kam parë në Ballkan”, ka thënë Shimizu, e cila një nga shkrimtarët e preferuar ka Ismail Kadarenë, librat e të cilit e kanë shtyrë që të mësojë më shumë rreth historisë së shqiptarëve.

“Së pari kam lexuar ‘Kështjellën’, të cilin ende e kam favorit, një tregim epik i luftërave pa heroizma, tregim që fokusohet në sfidat e çdo personazhi dhe në fund tregon se lufta është politike dhe kushdo i përfshirë në të, vuan shumë”, shprehet ajo, derisa tregon se e ka lexuar edhe “Pallatin e ëndrrave”, “Doruntinën” dhe gati ka përfunduar “Aksidentin”.

Image

“‘Aksidenti’ është një libër ku mënyra e tregimit dallon nga të tjerët, por është interesant aq sa të tjerët”, është shprehur Shimizu, duke shtuar se librat e tjerë që do t’i lexoj janë: “Darka e gabuar”, “Prilli i thyer” dhe “Kronikë në gurë”. 

“Ismail Kadare është një shkrimtar i mirënjohur, por në Amerikë është i nënvlerësuar dhe në përgjithësi i panjohur. Librat e tij më kanë mësuar gjëra që s’i dija siç janë: komunizmi, diktaturat dhe historia e Perandorisë Osmane.

Nuk kam qenë asnjëherë në Kosovë apo Shqipëri, por përmes librave të tij po mësoj çdo ditë diçka të re. Më pëlqen shumë mënyra e shkrimit të tij, tregimet që i shkruan përmbajnë gjithmonë një mesazh të fshehtë”, ka thënë artistja nga Japonia, duke shtuar se pavarësisht tregimeve çdo libër simbolizon jetën që ka qenë nën komunizëm dhe sa e vështirë ka qenë. Shimizu tregon se është e interesuar të dijë më shumë për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

Image

“Sa isha ende në Japoni më kujtohet se kisha dëgjuar për këtë konflikt, por atje nuk njihja askënd nga ato vende dhe njohuritë që kisha vinin nga mediet. Këto ngjarje trishtuese thuajse gjithmonë ndodhin mes vendeve fqinje. Edhe në Japoni kemi pasur konflikte, luftëra dhe pushtime të turpshme, tragjike dhe të dhimbshme ndaj Kinës, Koresë dhe Tajvanit, që të gjitha këto vende fqinje territoriale të Japonisë”, është shprehu Yuko Shimizu, e cila shpreson që një ditë do të ekzistojë një botë, ku nuk do të ketë urrejtje dhe luftëra për shkak të nacionaliteteve, prejardhjes dhe religjionit.

Image

Ajo përpos krijimit të artit, ngre zërin edhe për çështje të rëndësishme politike e sociale, që një nga to është dhe gjendja profesionale e femrave në Japoni. 

“Japonia për femrat është njëjtë sikurse që ka qenë Amerika e viteve 1960. Është e dalë mode dhe me një sistem patriarkal në qendër. Femrat atje japin kontribut të madh për shtetin, por nuk kanë mbështetje të duhur nga sistemi. Japonia ka natalitet shumë të ulët dhe popullata po plaket shumë shpejt, nëse nuk krijohet një sistem mbështetës për femrat në mënyrë që të punojnë dhe të rrisin fëmijë, atëherë Japonisë vetëm do t’i bjerë nataliteti”, ka thënë Shimizu, e cila shpreson se me globalizimin dhe shkëmbime të informacioneve nga e gjithë bota Japonia do të arrijë të ndryshojë./Zeri/

Image
Image