“Histori në gur”, Saliuka shndërron oborrin e shtëpisë në galeri të hapur

“Histori në gur”, Saliuka shndërron oborrin e shtëpisë në galeri të hapur

Kultura July 25, 2026 - 21:47

Në kuadër të këtij edicioni, në Gjakovë është hapur ekspozita “Histori në gur” e skulptorit Gëzim Saliuka, i cili tash e tri dekada jeton në Holandë.

Për kritikët e artit, “Histori në gur” nuk është vetëm një ekspozitë skulpture, por edhe akti i hapjes së një hapësire të re artistike në Gjakovë – një oborr që shndërrohet në skenë kulture, në vendtakim dhe në një atelie të gjallë të kujtesës.

“Një punë mbi 40-vjeçare mes Kosovës dhe Holandës. Gëzimi vjen edhe në oborrin e vet, i cili shndërrohet në një pikë kulturore, në një muze të hapur, në një galeri ku së shpejti shpresojmë që jo vetëm qytetarët e Gjakovës, por edhe një numër i madh të rinjsh, ta shohin skulptorin gjatë punës, duke gdhendur dhe duke trajtuar tema të ndryshme të estetikës së Gëzimit”, thaksoi Skënder Boshtrakaj, kurator arti.

“Edhe sot po e shoh se kjo shtëpi është shndërruar në një shtëpi të kulturës, duke marrë parasysh masën e madhe të punimeve, por jo vetëm kaq; edhe forcën, bukurinë dhe skalitjen në gur, në dru dhe në shumë materiale të tjera”, tha Gemb Xërxa, artist.

E Gëzim Saliuka, autor i ekspozitës, theksoi se njeriu duhet të ketë pak talent, por edhe dashuri e përkushtim për artin.

"Shumë njerëz kanë talent, por nuk punojnë. Unë jam munduar të punoj gjatë gjithë kohës, sepse relaksohem kur punoj. Shprehja jonë, e artistit dhe e skulptorit, është përmes skulpturës”, tha ai.

Ndryshe, “Histori në gur” paraqet një larmi qasjesh formale, ku shumë prej skulpturave ndërtohen mbi figurën njerëzore: kokat, bustet dhe trupat e deformuar në mënyrë poetike. Një pjesë e veprave paraqesin botën zoomorfe, mitike dhe simbolike, figura që pasqyrojnë mbetjet e një civilizimi të harruar.