Festivali i RTK-së nuk ndryshon vetëm emrin, por edhe lokacionin
Festivali i Këngës në RTK do të vijë me një format të ri në edicionin e katërt, duke ndryshuar jo vetëm emrin, por edhe lokacionin e organizimit, si dhe duke shtuar një mbrëmje të dedikuar për fëmijët.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Bordit të RTK-së, të mbajtur më 30 qershor, ku u aprovua propozimi i ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshme, Zana Spahiu, për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores së Festivalit të Këngës në RTK.
Sipas ndryshimeve, festivali do të zhvillohet me emrin “Akordet e Kosovës” dhe do të përbëhet nga tri net: dy mbrëmje për interpretuesit e rritur dhe një mbrëmje e veçantë për festivalin e fëmijëve, shkruan Zeri.info.
Gjatë mbledhjes, anëtari i Bordit, Ilirjan Himaj, propozoi që nata e parë t’u kushtohet fëmijëve, ndërsa dy netët pasuese artistëve të rritur. Megjithatë, pas arsyetimeve të drejtorit të festivalit Rilind Gërvalla, propozimi u hodh në votim dhe nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Në diskutime u bë e ditur gjithashtu se Ministria e Kulturës ka ndarë një buxhet prej 400 mijë eurosh për organizimin e festivalit.
Sipas planifikimeve të prezantuara, rreth 100 mijë euro do të shpenzohen për ndriçimin, 70 mijë euro për skenografinë dhe 20 mijë euro për grafikat, ndërsa pjesa tjetër e buxhetit do të mbulojë shpenzime të tjera organizative, përfshirë edhe ftesën e artistëve specialë. Organizatorët synojnë të sjellin emra të njohur të skenës shqiptare me reputacion edhe jashtë hapësirës shqipfolëse, shkruan Zeri.info.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe lokacioni i festivalit. Edicioni i sivjetmë i “Akordeve të Kosovës” do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke u larguar nga Salla e Madhe e Pallatit të Rinisë, ku u zhvilluan tri edicionet e kaluara. Zhvendosja vjen pasi Pallati i Rinisë pritet t’i nënshtrohet renovimit në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.
Po ashtu, organizatorët kanë paralajmëruar rikthimin e çmimit tradicional “Okarina e Artë”, ndërsa festivali pritet të mbahet gjatë javës së dytë të tetorit.
RTK-ja kishte nisur Festivalin si një formë përkushtimi të treguar për të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës Eurovision, por deri tani EBU-ja ka refuzuar vazhdimisht pranimin e Kosovës në këtë garë, ndërsa në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së që u mbajt në muajin qershor, kërkesa e RTK-së për tu ftuar në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, nuk ishte as në agjendë, derisa EBU-ja pranoi Kanadanë si anëtare të plotë dhe transmetuesin publik të Katalonisë, si “anëtar ndihmës”, duke mos shqyrtuar fare çështjen e RTK-së. /Zëri