Filmi i ri i Iber Dearit “Askush s’e do Sadikun” merr mbështetje nga Agjencia e Filmit
Regjisori Iber Deari ka bërë të ditur se filmi i tij i ri me metrazh të gjatë, “Nobody Loves Sadik” / “Askush s’e do Sadikun”, ka marrë mbështetje nga Agjencia e Filmit.
Në një njoftim publik, Deari shpreh mirënjohje për Agjencinë e Filmit dhe komisionin profesional për vlerësimin dhe besimin e dhënë, duke theksuar se kjo mbështetje i hap rrugën zhvillimit të projektit kinematografik.
“Askush s’e do Sadikun” do të jetë filmi i dytë me metrazh të gjatë i regjisorit Iber Deari. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me producentin Avdi Thaçi dhe shtëpinë filmike Lumiere Films nga Shkupi.
Filmi është një bashkëprodhim rajonal dhe shënon një hap të ri në karrierën artistike të Dearit, i cili thekson se projekti nis rrugëtimin e tij drejt realizimit.
“Pa dashuri. Vetëm kinema,” është mesazhi që shoqëron këtë projekt./KultPlus