Përfshirja e lahutës në UNESCO ndikon në rritjen e interesimit për blerjen e këtij instrumenti
Shqipëria shënoi në vitin 2025 një arritje të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore, pasi lahuta u përfshi në listat e UNESCO-s si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente.
Vendimi i marrë e njeh “Artin e të luajturit, të kënduarit dhe të punimit të lahutës” si një pasuri të veçantë të kulturës shqiptare, të trashëguar ndër breza. Megjithatë, përtej këtij vlerësimi ndërkombëtar, sfidë mbetet ruajtja dhe promovimi i saj në praktikë. Studiuesja Rita Shkurtaj thekson se nevojiten politika konkrete për ta mbështetur këtë trashëgimi.
“Për hir të së vërtet është bërë pak nga politikat sociale për sa i përket trashëgimisë kulturore. Tek shkolla e muzikës nuk kemi të përfshirë te lëndët me zgjedhje çiftelinë, lahutën apo fyellin të cilat janë element të trashëgimisë kulturore”, u shpreh studiuesja Rita Shkurtaj.
Përfshirja në UNESCO sipas studiueses ka sjellë edhe një efekt pozitiv në rritjen e interesit për këtë instrument.
“Kemi shtim të kërkesa për blerjen e lahutës për ta pasur në shtëpia e veta por kemi dhe shumë të rinj dhe të reja që kërkojnë më shumë njohuri për lahutën”, tha ajo.
Në këtë mënyrë, lahuta nuk mbetet vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por po rikthehet gradualisht në vëmendjen e publikut, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. /rtsh.al