Në 90-vjetorin e lindjes përkujtohet “Trashëgimia Demaçiane”
Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, u mbajt tryeza shkencore me titull “Trashëgimia Demaçiane – vlerë unike kombëtare”, e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkëpunim me institutin e historisë “Ali Hadri”. Ky aktivitet mblodhi studiues, historianë dhe njohës të letërsisë për të reflektuar mbi jetën dhe veprën e një prej figurave më emblematike të historisë moderne shqiptare.
Aktiviteti u hap me fjalën hyrëse të Fadil Grajqevcit, i cili theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Demaçit si shtyllë e rezistencës dhe identitetit kombëtar. Ndërkaq, Teuta Shala-Peli përshëndeti të pranishmit, duke nënvizuar rolin e institucioneve shkencore në ruajtjen dhe promovimin e figurave historike.
Seanca u drejtua nga Hysen Matoshi dhe Arbër Hadri, të cilët strukturuan diskutimet rreth dimensioneve të ndryshme të personalitetit të Demaçit. Referues të shumtë trajtuan trashëgiminë e tij kombëtare.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe krijimtarisë letrare të Demaçit, duke e analizuar atë si një ndërthurje të fuqishme mes artit dhe rezistencës. Studiuesit theksuan se veprat e tij përbëjnë jo vetëm vlerë estetike, por edhe dëshmi historike dhe politike të kohës. Po ashtu, u diskutua filozofia e tij politike dhe ndikimi i saj në mendimin shqiptar bashkëkohor.
Në kuadër të diskutimeve, figura e Demaçit u vendos edhe në një kontekst ndërkombëtar, duke u krahasuar me personalitete të mëdha të rezistencës si Nelson Mandela, çka dëshmon përmasat universale të kontributit të tij.