Java e Frankofonisë në Kosovë me aktivitete të shumta dhe interesim të madh

Java e Frankofonisë në Kosovë me aktivitete të shumta dhe interesim të madh

Kultura March 30, 2026 - 11:36

Edicioni i 26-të i Javës së Frankofonisë në Kosovë ka nisur me sukses, duke sjellë aktivitete kulturore dhe muzikore në Prishtinë, Gjilan e Viti.

Valon Ibraj, një nga organizatorët, tha se ky vit shënon një hap më të gjerë të festivalit dhe një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të publikut, duke përfshirë koncerte frankofone dhe programe kreative nga nxënësit që mësojnë gjuhën frënge.

Valon Ibraj dha detaje për edicionin e 26-të të Javës së Frankofonisë në Kosovë.

“Java e Frankofonisë në Kosovë ka filluar shumë mirë. Ka nisur më datën 23 me aktivitete të shumta. Fillimisht aktivitetet janë mbajtur në Prishtinë. Ndërsa këtë vit, si qendër kryesore e Frankofonisë kanë qenë qyteti i Gjilanit dhe ai i Vitisë. Aktivitetet janë zhvilluar kryesisht në këto dy qytete dhe kanë qenë vërtet shumë të suksesshme, duke u pritur shumë mirë nga publiku”, tha Ibraj, duke theksuar se organizimi i këtij viti është shtrirë më gjerë dhe është pritur pozitivisht nga qytetarët.

Hapja e edicionit të 26-të u shënua me performancën e Linda Rukajt, këngëtare dhe artiste që jeton dhe vepron mes Tiranës, Parisit dhe Prishtinës.

“Hapja është shoqëruar me një koncert frankofon, ku ka marrë pjesë edhe një pianist nga Shqipëria, i cili gjithashtu jeton dhe vepron mes Shqipërisë dhe Francës. Në këtë koncert janë interpretuar disa këngë frankofone në gjuhën frënge, por edhe disa në gjuhën shqipe. Salla ka qenë e mbushur plot me publik dhe interesi ka qenë jashtëzakonisht i madh. Si hapje, kjo ka qenë një ndër më të suksesshmet deri më tani, duke marrë parasysh që për 26 vite me radhë është ndërtuar një publik i qëndrueshëm frankofon, i cili tashmë i njeh aktivitetet tona dhe mezi pret të bëhet pjesë e tyre”, tha ai.

Programi ka vazhduar në Gjilan me një koncert të suksesshëm ku performuan soprania kosovare Besa Lugiqi dhe kitaristi i ri francez Paolo Besson, i cili tashmë ka një karrierë të konsoliduar.

“Pra, me këto dy aktivitete kanë nisur ngjarjet kryesore në Prishtinë dhe në Gjilan. Më tej, janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera në fushën e muzikës, përfshirë koncerte të ndryshme”, tha Ibraj, duke nënvizuar larmishmërinë e programit artistik.

Një tjetër veçori e këtij edicioni ka qenë bashkëpunimi me shkollat fillore dhe të mesme ku mësohet gjuha frënge.

“Së bashku me profesorët e gjuhës frënge – të cilët i falënderojmë për punën e tyre të palodhshme – është bërë një punë e jashtëzakonshme. Nxënësit kanë përgatitur programe shumë të pasura dhe kreative, të cilat janë prezantuar në këto dy qytete”, tha ai, duke theksuar rolin e arsimit dhe të rinjve në këtë edicion të festivalit.

Edicioni i 26-të i Javës së Frankofonisë në Kosovë tregon jo vetëm angazhimin e vazhdueshëm për promovimin e kulturës frankofone, por edhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen aktive të publikut të gjerë. /rtk