Propaganda më e re e Serbisë për Kosovën quhet “Korrja” dhe po shfaqet në ekranet e kinemasë

Propaganda më e re e Serbisë për Kosovën quhet “Korrja” dhe po shfaqet në ekranet e kinemasë

Kultura March 26, 2026 - 14:03

Një tjetër prodhim filmik po rikthen në vëmendje narrativat e vjetra të Serbisë kundër Kosovës, duke i paraqitur ato përmes një rrëfimi që pretendohet si histori e vërtetë, por që lidhet me akuza të pakonfirmuara dhe të kontestuara ndërkombëtarisht.

Filmi “Korrja” trajton historinë e një baroni gjerman, Johann von Wagner, i cili pas një transplanti të paligjshëm të zemrës përballet me ëndrra dhe vizione të frikshme.

I shtyrë nga kujtime që nuk i përkasin dhe një ndjenjë përgjegjësie, ai nis një kërkim të rrezikshëm për të vërtetën, që e çon në Kosovë. Aty, sipas narrativës propaganduese të filmit, ai përballet me një rrjet të pretenduar të tregtisë ilegale të organeve, të lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, shkruan Zeri.info.

Përmes këtij rrëfimi, filmi rikthen në skenë një nga temat më të ndjeshme dhe më të diskutuara ndër vite, e cila është përdorur shpesh në diskursin politik dhe mediatik serb për të ndërtuar perceptime negative ndaj Kosovës, e që janë hedhur poshtë edhe nga Gjykata Speciale në Hagë.

Pavarësisht hetimeve ndërkombëtare që nuk kanë prodhuar prova përfundimtare që mbështesin këto pretendime, tema vazhdon të shfrytëzohet në forma të ndryshme, duke përfshirë edhe industrinë e filmit.

Propaganda të tilla artistike, të paraqitura si histori të vërteta, mund të ndikojnë në opinionin publik ndërkombëtar, duke përforcuar narrativa të njëanshme dhe shpeshherë të politizuara. Në këtë kontekst, kinemaja shndërrohet në një mjet të fuqishëm për përhapjen e mesazheve që tejkalojnë dimensionin artistik.

Filmi “Korrja” është tashmë duke u shfaqur nëpër kinema të qyteteve në Serbi. /Zëri