Kalaja e Rozafës, mbi 12 mijë vizitorë këtë vit
Parku Arkeologjik i Shkodrës, me në qendër Kalanë e Rozafës, rezulton siti më i vizituar në vend për dy muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Ndërkohë, rritje e numrit të vizitorëve vërehet edhe gjatë muajit mars, duke konfirmuar një trend pozitiv për turizmin kulturor në veri të vendit.
“Jo vetëm që është monumenti më i vizituar në rajonin e veriut, por është ndër më të vizituarit në rang kombëtar. Një trend në rritje shihet edhe gjatë muajit mars”, tha Helidon Sokoli, drejtor i DRTK Shkodër.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, përmirësimi i infrastrukturës rrugore drejt kalasë, si dhe rivitalizimi i hapësirave të brendshme, janë në fokus të një projekti të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i të cilit pritet të nisë brenda pranverës.
“Një projekt që pikësëpari ka fokusin tek infrastruktura. Do të jetë një faqe e re që hapet për kalanë e Shkodrës në aspektin e atraksionit turistik”, tha ai.
Edhe viti i shkuar, 2025-a, shënoi një rekord, me afro 179 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, duke dëshmuar se Shkodra mbetet një destinacion i rëndësishëm jo vetëm për turizmin natyror, por edhe për atë historik dhe kulturor. /rtsh