Koncert festiv në Oslo për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Koncert festiv në Oslo për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Kultura March 04, 2026 - 11:27

Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji, në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës, organizon një mbrëmje të veçantë koncertale në Oslo.

Koncerti do të mbahet më 5 mars 2026, duke filluar nga ora 18:00, në ambientet e Oslo Konserthus (Lille Sal).

Në këtë mbrëmje festive do të performojë “Reverie Quartet”, i përbërë nga anëtarë të Filarmonisë së Kosovës, së bashku me sopranon e njohur, Besa Llugiqi. Programi i koncertit përfshin vepra nga mjeshtërit e muzikës klasike botërore, si dhe perla të përzgjedhura nga krijimtaria muzikore shqiptare.

Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Norvegji, ky aktivitet synon të promovojë kulturën dhe artin kosovar në Norvegji, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve dhe duke ofruar për publikun një përjetim të veçantë artistik.

Ambasada ka ftuar bashkatdhetarët dhe artdashësit në Oslo të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje solemne me muzikën e Kosovës.