Arben Idrizi i nominuar për çmimin letrar të BE-së
Shkrimtari, poeti dhe përkthyesi shqiptar Arben Idrizi është nominuar për çmimin evropian të letërsisë “European Union Prize for Literature” (EUPL), duke u renditur në mesin e 14 autorëve të përzgjedhur këtë vit për një nga çmimet më të rëndësishme në fushën e letërsisë bashkëkohore evropiane.
Në garë për këtë çmim me traditë, i cili u nda për herë të parë në vitin 2009 me synimin për të promovuar zërat e rinj dhe për të forcuar hapësirën kulturore evropiane, Idrizi është përfshirë me veprën e tij prozaike “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera”.
Sipas përshkrimit në ueb-faqen zyrtare të çmimit, libri “shqyrton dhunën, traumën dhe habinë si kushte ekzistenciale të jetës njerëzore përballë historisë”. Në qendër të rrëfimit qëndron figura e Isak Kodrës, i mbijetuar i një masakre lufte, i cili, pasi ka përjetuar të paimagjinueshmen, mbetet i ngrirë në një gjendje të përhershme habie. Përmes një serie tregimesh të lidhura tematikisht, autori ndërton një univers të errët, ku dhuna nuk paraqitet vetëm si ngjarje, por si mënyrë e të menduarit, e të kujtuarit dhe e të ekzistuarit.
Portretizimet e Idrizit lëvizin nga realiteti konkret historik drejt dimensioneve alegorike dhe metafizike, duke trajtuar luftën, pushtimin, dëbimin dhe absurditetin e historisë si përvoja që formësojnë identitetin individual dhe kolektiv.
Arben Idrizi, i lindur në vitin 1974, është autor i njëmbëdhjetë librave – dhjetë përmbledhje poetike dhe një vëllim me tregime të shkurtra. Përveç krijimtarisë origjinale, ai ka përkthyer në shqip vepra të autorëve të njohur evropianë si Valerio Magrelli, Tino Caspanello, Roberto Calasso, Giacomo Leopardi dhe Cesare Pavese.