Shiroka mes natyrës, historisë dhe turizmit në rritje

Shiroka mes natyrës, historisë dhe turizmit në rritje

Kultura February 21, 2026 - 18:07

E vendosur buzë liqenit të Shkodrës dhe në rrëzë të malit të Taraboshit, Shiroka ofron një peizazh mahnitës duke tërhequr çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shiroka, ku qytetarë dhe turistë të ndryshëm kanë shijuar këtë të shtunë të ngrohtë dhe plot diell, pas ditëve me temperatura të ulëta dhe reshje shiu.

Investimet e viteve të fundit i kanë dhënë një pamje tjetër Shirokës.

Duke filluar nga rruga e re, pedonalja pranë bregut të liqenit, rehabilitimi e plazheve të vogla si dhe moli për varkat lundruese janë disa nga investimet e kryera së fundmi nga qeveria në Shirokë.

Shiroka ka histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, që janë bërë në afërsi të saj, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.

E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend. Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët.

Me natyrën, historinë dhe investimet e reja, Shiroka po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike në vend.