Mbahet akademi përkujtimore për historianin Ibrahim Çitaku

Mbahet akademi përkujtimore për historianin Ibrahim Çitaku

Kultura February 21, 2026 - 15:13

Në Universitetin “Isa Boletini” sot u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar historianit, mr. Ibrahim Çitaku, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta

Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të jetës publike, profesorë, historianë, bashkëpunëtorë, miq dhe familjarë të tij.

Akademia u pasurua me dy pika artistike me violinë nga nxënësi i Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, Oltion Musliu, ndërsa në fund, në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi e bija e profesorit, doktoresha Vjolla Çitaku.

Gjatë akademisë, profesor Vehbi Xani kritikoi institucionet për mungesë përkujdesjeje për figurën e historianit Çitaku, duke theksuar se duhet bërë shumë më tepër për një personalitet të rrallë me një vepër të madhe si ai.

Ndërkaq, profesoresha Sala Ahmeti foli për veprën e Çitakut, duke potencuar përkushtimin e madh dhe disiplinën shkencore të tij, si dhe duke theksuar se ai ka lënë një vepër që do të duhej ta bënin institucionet shkencore.

Profesori Selman Mehaj u ndal te jeta dhe veprimtaria e historianit Çitaku, duke u fokusuar në momente të rëndësishme të jetës së tij, i cili, përkundër rrethanave të vështira, qëndroi stoik dhe vazhdoi punën në zbardhjen e figurave kombëtare që e ndiente si mision. /rtk