Zgjatet koha e restaurimit të Teatrit Kombëtar, rritet vlera e investimit

Zgjatet koha e restaurimit të Teatrit Kombëtar, rritet vlera e investimit

Kultura February 08, 2026 - 23:17

Restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i nisur në korrik të vitit 2024, nuk do të përfundojë brenda afatit fillestar. Ministria e Kulturës ka konfirmuar se, për shkak të punimeve shtesë dhe statusit të objektit si monument i trashëgimisë kulturore, kontrata është zgjatur deri në qershor të vitit 2026, ndërsa vlera totale e investimit pritet të arrijë rreth 8 milionë euro.

Ndërkohë që punimet për restaurimin dhe konservimin e Teatrit Kombëtar vazhdojnë, kostoja e projektit është rritur me mbi 190 mijë euro, duke mbetur brenda kufirit ligjor prej 10 për qind të kontratës bazë, me vlerë rreth 7 milionë euro.

Kontrata, e nënshkruar në shtator të vitit 2024, është zgjatur deri në qershor të vitit 2026, ndërsa vlera totale e investimit pritet të arrijë rreth 8 milionë euro.

“Teatri Kombëtar i Kosovës është në proces të restaurimit dhe konservimit dhe duhet pasur parasysh se, përveç se është institucion kulturor, është edhe arkitekturë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore. Qasja është konservuese-restauruese, me qëllim që të ruhen vlerat arkitektonike, shpirtërore, shoqërore dhe historike të ndërtesës. Ky është një renovim tërësor i objektit dhe besojmë se deri në fund të projektit shuma totale e investimit do të arrijë rreth 8 milionë euro”, tha Besnik Bislimi, Sekretar i Përgjithshëm në MKRS.

Duke marrë parasysh se ndërhyrjet e mëparshme, që nga paslufta, kanë qenë të pjesshme dhe kryesisht teknike, ky konsiderohet restaurimi i parë gjithëpërfshirës i këtij objekti, i cili gëzon statusin e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje. Në proces janë përfshirë edhe ekipe të arkitektëve dhe inxhinierëve nga Universiteti i Prishtinës, të cilët po asistojnë në dokumentim, projektim dhe mbikëqyrje të punimeve.

Zgjatja e kontratës është arsyetuar si rezultat i punëve shtesë të domosdoshme, të identifikuara gjatë realizimit të projektit.

“Punimet për restaurimin dhe konservimin e Teatrit Kombëtar kanë filluar më 18 shtator 2024. Duke qenë se objekti është aset nën mbrojtje të përkohshme, procesi po zhvillohet me kujdes të shtuar profesional. Ndërhyrjet janë konceptuar për të ruajtur identitetin origjinal të ndërtesës, duke e përshtatur njëkohësisht me kërkesat bashkëkohore teknike dhe funksionale”, Rrezarta Basha, u.d. e drejtores së TKK-së.

Bëhet e ditur se pas fillimit të punimeve janë evidentuar edhe probleme strukturore dhe teknike, veçanërisht në fazat e hershme, të cilat nuk kanë qenë të dukshme gjatë projektimit fillestar.

Ndonëse fillimisht ishte paraparë që pas një viti punimesh objekti të rikthehej në funksion, Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdon të jetë i mbyllur që nga korriku i vitit 2022 dhe autoritetet nuk japin një datë të saktë për përmbylljen e plotë të restaurimit.

Sidoqoftë, pas përfundimit të punimeve, Teatri Kombëtar pritet të ruajë pamjen e jashtme origjinale, ndërsa në brendësi do të pajiset me teknologji moderne skenike dhe hapësira të reja funksionale, me synimin për të krijuar kushte më të mira për artistët, stafin dhe publikun. /rtk