Ilir Muharremi sjell librin e ri “Arti konceptual në Kosovë”
Libri më i ri i autorit Ilir Muharremi, i titulluar “Arti konceptual në Kosovë”, ka dalë nga shtypi si libri i parë që dokumenton në mënyrë sistematike dhe kritike artin konceptual në Kosovë (2000–2025).
Ky studim përfaqëson hulumtimin më të gjerë të deritanishëm mbi praktikën konceptuale në Kosovë, duke trajtuar si traditën e artistëve konceptualë ashtu edhe atë neokonceptuale.
Monografia përmban studime rasti dhe analiza të detajuara të veprave artistike, të cilat evidentojnë evolucionin dhe dinamikat e praktikave artistike në vend. Përtej dokumentimit lokal, teksti i vendos këto praktika brenda një konteksti rajonal dhe teorik më të gjerë, duke ofruar krahasime dhe interpretime historike që ndihmojnë në kuptimin e pozicionit të artit konceptual kosovar në hapësirën e artit bashkëkohor në Ballkan.
Duke shfrytëzuar një qasje të kombinuar teoriko-empirike, përfshirë hulumtim arkivor, material ilustrativ dhe analizë kritike të veprave, ky libër synon të shërbejë si burim referues për studentë, pedagogë, kuratorë dhe studiues të artit bashkëkohor.