Java Kulturore Zvicerane vazhdon aktivitetet artistike në Shqipëri

Java Kulturore Zvicerane vazhdon aktivitetet artistike në Shqipëri

Kultura February 03, 2026 - 15:04

Java Kulturore Zvicerane po vazhdon aktivitetet e saj artistike në Shqipëri, duke ofruar një seri ngjarjesh kulturore që synojnë të nxisin dialogun dhe reflektimin përmes artit bashkëkohor.

Programi i javës së fundit nis më 3 shkurt, në ora 18:00, në Shkodër, me dramën bashkëkohore “Duke Pritur Birin”. Shfaqja trajton tema të ndjeshme si familja, faji dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në jetën e përditshme.

Më 4 shkurt, po në ora 18:00, në Tiranë do të prezantohet shfaqja e vallëzimit dhe teatrit “Gjithçka që Mbajta Ishte një Kujtim”, e cila trajton konceptet e kujtesës, humbjes dhe rezistencës përmes interpretimit artistik.

Ndërkohë, më 5 shkurt, në orën 18:00, gjithashtu në Tiranë, do të mbahet premiera e dokumentarit “Nuse”, e shoqëruar me një koncert live që ndërthur zërat vendas me muzikën elektro-akustike.

Organizatorët bëjnë të ditur se dy javët e aktiviteteve kanë synuar të krijojnë ura komunikimi përmes artit, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke frymëzuar ndryshimin shoqëror. Vendet për pjesëmarrje janë të kufizuara, ndaj qytetarët ftohen të kontrollojnë oraret dhe lokacionet përkatëse. /albinfo.ch