“9Travel”: Shqipëria, destinacioni i ri evropian nën radarin e turistëve australianë

“9Travel”: Shqipëria, destinacioni i ri evropian nën radarin e turistëve australianë

Kultura January 26, 2026 - 21:24

Ndërsa turistët synojnë të zgjerojnë horizontet e tyre të udhëtimit në vitin 2026, ekspertët e udhëtimit kanë zbuluar disa destinacione që kanë tërhequr vëmendjen dhe interesin e një numri në rritje vizitorësh, shkruan Kristine Tarber në të përditshmen australiane “9Travel”.

Përveç vendeve të preferuara turistike si Italia dhe Japonia – të cilat vazhdojnë të dominojnë – ekzistojnë disa destinacione të reja që janë shndërruar në pikat më “të nxehta” këtë vit.

“Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme. Dhe Mali i Zi ndodhet pranë Shqipërisë”, tha Quentin Long, ekspert i “Australian Traveller”.

“U bë një periudhë e gjatë që flitet për Shqipërinë”, shtoi ai.

“Mënyra se si kjo perlë e Ballkanit vazhdon të jetë nën radarin e shumicës së turistëve australianë është e habitshme”, tha eksperti i udhëtimit, Dilvin Yasa, pak muaj më parë, për “9Travel”.

“Çmimet e përballueshme të vendit dhe vendasit e ngrohtë dhe mikpritës janë pika kryesore pozitive”, theksoi ai.

“Shqipëria është gjithashtu shtëpia e Rivierës Shqiptare, e cila është dukshëm më e lirë se vendet homologe të saj të Evropës Perëndimore, me një kuzhinë të larmishme dhe një histori të pasur dhe plot ngjyra të ndërthurur me sundimin osman dhe komunizmin”, tha Dilvin Yasa.

“Mos i humbisni qytetet e bukura të epokës osmane të Gjirokastrës dhe Beratit, vendet e lashta greke dhe romake të Parkut Arkeologjik të Apollonisë dhe Butrintit, apo Alpet Shqiptare – të njohura për majat dramatike, fshatrat tradicionale dhe shtigjet e ecjes”, shtoi ai.

“Gjithashtu, një numër në rritje australianësh po udhëtojnë në periudhën, shtator, tetor, maj, qershor – duke qene se është më lirë, më freskët dhe më pak e populluar. Kjo përbën vërtet një ndryshim të madh”, tha Quentin Long.

“Ky ndryshim shihet edhe në kostot e përgjithshme të udhëtimit, pasi ka një ulje të çmimeve të biletave të avionit jashtë periudhës së pikut turistik”, shtoi ai.

Media australiane “9Travel” ka renditur destinacionet kryesore për t’u vizituar në vitin 2026 sipas ekspertëve të udhëtimit:

Shqipëria
Sri Lanka
Meksika
Arabia Saudite   /atsh