“Shame and Money” me premierë botërore në Sundance
ilmi i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)”, ka shfaqur premierën e tij botërore në Sundance Film Festival në Park City, Utah. Filmi u prit me duartrokitje të gjata nga publiku dhe me vlerësime pozitive nga kritika ndërkombëtare.
"The Film Verdict" e përshkroi filmin si “një dramë të fuqishme dhe observuese, që reflekton mbi dinjitetin njerëzor nën presionet e kapitalizmit të egër”, duke vlerësuar realizmin emocional dhe qasjen autentike. Ndërkohë, Next Best Picture e cilësoi si “një analizë emocionale të shkatërrimit të shpirtit njerëzor nën peshën e presionit ekonomik”, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.
Reagime të tjera nga kritikë dhe platforma filmike online theksojnë regjinë e përmbajtur, realizmin social dhe performancat e forta të aktorëve, duke e renditur filmin ndër titujt më të diskutuar dhe rezonues të këtij edicioni të Sundance Film Festival.
Në role kryesore luajnë: Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.
Subjekti i filmit:
Pasi humbin jetesën e tyre në fshat, një familje kosovare detyrohet të shpërngulet në Prishtinë, në kërkim të një vendi dhe dinjiteti në një shoqëri hiperkapitaliste.
Filmi është një prodhim i Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, me producentë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe Visar Morina. Realizimi vjen në bashkëprodhim me Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.
Skenari mban firmën e Visar Morinës dhe Doruntina Bashës, ndërsa drejtor i fotografisë është Janis Mazuch. Montazhi është realizuar nga Joëlle Alexis, muzika nga Mario Batkovic dhe dizajni i zërit nga Julij Zornik.